Ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi janë publikuar në Fletoren Zyrtare, ndërsa hyjnë në fuqi 15 ditë pas publikimit të tyre, çka do të thotë se Kushtetuta e re hyn në fuqi më datë 10 gusht.

Bëhet fjalë për ndryshimin e ligjit Nr. 7417 i miratuar me referendum më 21 tetor të vitit 1998, i cili tashmë është ndryshuar me shumicë absolute votash nga Parlamenti i Shqipërisë mëngjesin e 22 korrikut 2016.

Në ndryshimet e ligjeve parashikohet midis të tjerash edhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila përbëhet nga 9 anëtarë, ku Presidenti zgjedh 3 prej tyre, 3 të tjerët i zgjedh Kuvendi dhe tre zgjidhen nga Gjykata e Lartë.

Kuvendi është i detyruar që tre anëtarët t’i zgjedhë me jo më pak se 3/5-t e votave në Parlament. Gjyqtarët e kësaj gjykate qëndrojnë në detyrë 9 vite pa të drejtë riemërimi, ndërsa duhet të kenë minimalisht 15 vite përvojë pune në organet e drejtësisë.

Ndërkohë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor për një mandat 9 vjeçar pa të drejtë riemërimi.

Risitë në ligjin e ri janë edhe krijimet e disa institucioneve të reja që nuk kanë ekzistuar më herët dhe që priten të jenë “shtylla kurrizore” për drejtësinë. I tillë është edhe krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, që sipas ndryshimeve kushtetuese siguron pavarësinë dhe mbarëvajtje e këtij sistemi.

Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë i zgjedh Kuvendi, nga radhët e juristëve jo gjyqtarë.

“Dy anëtarë jogjyqtarë zgjidhen nga radhët e avokatëve, dy anëtarë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, si dhe një anëtar nga shoqëria civile. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, bazuar në një procedurë transparent”, thuhet në pikën 4 të nenit 147 të ndryshimeve kushtetuese.

“Filtrimi” i mëtejshëm bëhet nga një nënkomision i ngritur nga Komisioni parlamentar i Ligjeve, i cili bën vlerësimin e kandidaturave.

Nën komisioni përbëhet nga 5 deputetë, tre nga mazhoranca dhe dy nga opozita, ndërsa miratimi duhet bërë me të paktën 4 vota, çka do të thotë se është i domosdoshëm konsensusi. Por, Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ushtron disa funksione, siç është emërimi, vlerësimi, ngritja në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve.