Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në një intervistë dhënë për “Zërin e Amerikës”, ka deklaruar se opozita kishte plotësisht të drejtë gjatë negociatave për gjetjen e një kompromisi për reformën në drejtësi.

“Mund ta them pa asnjë droje, opozita kishte plotësisht të drejtë për rekomandimin 88. U binda, pasi takova Bashën. Këtë bindje ia kam shprehur aleatit të koalicionit (Ramës) dhe ndërkombëtarëve”, u shpreh Meta.

Por, pavarësisht se Meta e pranoi se dy aleatët e koalicionit kanë mosmarrëveshje dhe kjo vjen pasi PS tha ai po ngatërron “punët e shtetit” me “çështjet e koalicionit”, ky mandat do të mbyllet.

“Dua t’i siguroj të gjithë socialistët, pra atë me PS, unë jam një njëri që i qëndroj fjalëve dhe marrëveshjeve. Unë për respekt të tyre dhe të cilitdo që ka një shqetësim, jam gati që të shkojnë në grupin parlamentar të PS-së dhe t’i sqaroj për çdo përmirësim të qeverisë, por nuk duhet të përziejmë çështjen e shtetit me çështjet e koalicionit tonë. Jemi gati të marrin çdo përgjegjësi për mos mbarëvajtjen e koalicionit. Unë besoj që koalicioni ynë i ka të gjitha mundësitë të përmbushë këtë mandat’, tha Meta.