Autori i dyshuar i zjarrvënies në ambientet e një spitali privat sot në kryeqytet, shtetasi Lefter Cani mësohet se e ka kaluar rrezikun për jetën dhe është arrestuar nga policia në ambientet e spitalit.
Ai nuk pranon të flasë për uniformat blu për të shpjeguar motivin e ngjarjes.
Sakaq, bilanci i ngjarjes së sotme në repartin e Hemo-Dializës është rënduar, pasi ka shkuar në dy numri i viktimave. Fillimisht u raportua se viktimë mbeti një pacient, i cili i vuri flakën vetes.
Në fakt, hetimet treguan se ai i vuri flakën një pacienti tjetër, pas një sherri, por viktimë mjerisht mbeti një grua 55-vjeçare, po paciente në dhomë. Më pas, policia njoftoi se poshtë një shtrati ishte gjetur edhe një tjetër grua e pajetë. Autori vetë mbeti i plagosur nga ngjarja.
Zyrtarisht policia pas hetimeve të fundit bën me dije se gjithcka ka ndodhur pas një sherri mes dy pacientësh dhe viktimë mbeti një tjetër paciente, e cila po merrte mjekimin në dhomë.
Ngjarja
Policia njofton se zjarri mund të jetë shkaktuar me dashje nga pacienti i identifikuar si Lefter C., 57 vjeç .
“Dyshohet se ka lindur një konflikt midis dy shtetasve Lefter .C dhe shtetasit D.Saraçi, 47 vjeç. Shtetasi Lefter .C pasi ka mbaruar dializen ka shkuar në dhomën e shtetasit D.S , ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe dyshohet të ketë spërkatur me benzinë shtetasin D.S dhe me pas i ka vënë zjarrin”- njofton policia.
Viktimat
Nga flakët viktimë ka mbetur shtetasja Sanie Sulaj, 55-vjeçe nga Mamurrasi e cila ka gjetur vdekjen si pasoje e asfiksisë. Gruaja ishte duke u mjekuar në të njëjtën dhomë të repartit.
Grupi hetimor gjatë kqyrjes dhe kontrollit të vendit të ngjarjes kanë konstatuar poshtë një krevati trupin e pajetë të një pacienteje tjetër të identifikuar si shtetasja: Hani Mali, 55 vjeçe, banuese në Laç.





