Komiteti Olimpik Ndërkombëtar mori më në fund vendimin: Rusia nuk do të përjashtohet nga Lojërat Olimpike të Rios. Vendimi është marrë nga Komiteti Ekzekutiv me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar që bëri të ditur se në bazë të indikacioneve të tij do të jenë vetë Federatat e Veçanta Ndërkombëtare për çdo disiplinë ato që do të vendosin nëse atletët rusë do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike që janë në program në Rio nga 5 deri në 21 gusht.
Të enjten e kaluar Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë hodhi poshtë apelin e 68 atletëve rusë që kishin kërkuar të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike pavarësisht se ishin pezulluar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës pas skandalit të dopingut që shpërtheu nëntorin e kaluar.
Një ditë më parë Komiteti Olimpik Rus kishte prezantuar një skuadër me 387 sportistë të 30 disiplinave të ndryshme sportive të zgjedhur për takimin më të rëndësishëm sportiv të vitit.
“Jemi udhëhequr nga parimi i kartës Olimpike që mbron atletët e pastër dhe integritetin", – deklaroi presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach duke shtuar: – "Duhet të bëjmë dallimin mes përgjegjësisë kolektive dhe asaj individuale”. Rusia kështu nuk është përjashtuar në bllok por do të jenë vetë Federatat Ndërkombëtare ato që do të vendosin nëse do të lejojnë garimin e atletëve. Këto janë kriteret ku ato do të bazohen sipas relacionit përfundimtar të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Federatat e Veçanta Ndërkombëtare duhet të marrin informacionet e raportit të Wada-s, (Agjensisë Botërore të Antidopingut) dhe asnjë atlet, trajner apo drejtues nuk mund të jetë në Rio nëse rezulton në çfarëdolloj mënyre i implikuar në çështjen e manipulimit të provave të testeve antidopingut. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk do të pranojë as atletët që janë dënuar tashmë për doping dhe që e kanë shlyer pezullimin. Për këtë arsye nuk mund të jetë në pistë Yulia Stepanova, atletja ruse që nxorri në dritë skandalin e sistemit rus. Deri më sot mendohej se ajo mund të garonte me flamurin Olimpik, por Komiteti i Etikës vendosi të mos i lejojë të jetë në pistat e Brazilit pasi ka rezultuar pozitive në 2013. Atletët rusë që do të pranohen nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar janë të detyruar t'i nënshtrohen edhe një testi tjetër antidopingu jashtë kompeticionit, i cili do të koordinohet nga një komision i pavarur i Wada-s.





