Të ushqehesh shëndetshëm në këto kohë është vështirë, pavarësisht se tregu është mbushur me produkte bujqësore.

Në ndryshim nga vite më parë, tashmë në çdo stinë tregu është plot me perime, zarzavate e fruta që nuk mungojnë edhe kur nuk e kanë sezonin e prodhimit.

Por cilat janë prodhime të fushës, produkte bio që mund t’i konsumojmë pa rrezikuar pasoja për shëndetin tonë?

Tregtarët e tregut të fruta-perimeve në Durrës thonë se janë disa produkte bujqësore të stinës, por që dalin në të dy formate në treg, edhe nga fusha edhe nga serat.

“Domatja, patatja, patëllxhani, kungulli, karrotat e qepët janë prodhime të fushës. Bishtajat e bamjet janë duke u pjekur”,- thonë ata.

Por ajo që konstatohet nga konsumatori çdo ditë është fakti se shija e pjesës më të madhe të produkteve bujqësore ka ndryshuar.

Përdorimi i farërave të ndryshme dhe përdorimi i pesticideve nga fermerët në sera e në fushë ka ndryshuar shijen e prodhimeve, duke shkaktuar probleme afatgjata në shëndetin e popullatës.