Pena e tij shkruan mjeshtërisht lirika dashurie, por jo vetëm ai thur bukur vargjet edhe kur shkruan për realitetin në të cilin ndodhemi, ngjarjet e trishta të përditshmërisë etj. Bëhet fjalë për Agim Bajramin, shkrimtarin që i ka dhuruar poezi të mrekullueshme qytetit të Durrësit.
Rreth dy muaj më pare, ai ka botuar librin e tij të fundit me poezi “Ditarët e Mjegullës”. Ajo çka të bën përshtypje tek Agimi është se ai mund të shkruajë për gjithçka, për dashurinë, për trishtimin, për të bukurën e për të shëmtuarën. Larmishmëria e pozive të bën la lexosh librin me një frymë. Janë kontrastet dhe ndryshimet nga njëra poezi tek tjetra që i japin një melodi të padëgjuar më parë librit të tij. “Ditarët e Mjegullës” është libri 13-të i Agimit dhe është vlerësuar më çmimin “Metafora” në Kosovë. Autori bën të ditur për “Durrës Lajm” se libri është pritur shumë mirë nga publiku durrsak dhe madje ka njohur edhe një ribotim.
Jeta e Agimit është e lidhur ngushtësisht me poezinë. Fillesat e tij letrare i ka patur që në klasën e gjashtë të shkollës fillore dhe që atëherë nuk është ndalur së shkruari në letër atë që ndjente. Poezia për të është gjithçka, është femra më e bukur, është jeta.
Përsa i përket periudhës së komunizmit ku jeta e njerëzve u kufizua ndjeshëm edhe poezia sipas Agimit njohu censurë. Kështu ai shprehet se të jetoje në diktaturë, ishte si të jetoje brenda një kutie shkrepëseje. Edhe ai si gjithë të tjerët duhet të shkuante brenda kornizave të caktuara nga sistemi i asaj kohe dhe të mos dilte jashtë tyre, duke pësuar kështu një “ndrydhje artistike”. Ai nënkupton se poeti duhet të jetë i vërtetë dhe të shkruajë pa doreza atë që ndjen, qofshin këto edhe kritikat ndaj realitetit.
Agim Bajrami ka lindur, në Cërrik në vitin 1959, është rritur dhe ka zhvilluar një pjesë të krijimtarisë së tij në këtë qytezë. Edhe pse qytet i vogël ai rrëfen për “Durrës Lajm” se në Cërrik kanë jetuar figura të njohura të artit shqiptar si psh. aktorja e mirënjohur Rajmonda Bulku. Jeta atje ishte shumë e kufizuar, argëtimi i vetëm mund të ishte një xhiro në bulevard, por kjo ka ndoshta ka bërë që artistët të përqëndroheshin tek krijimtaria dhe të nxirrnin më të mirën e tyre.
Që nga viti 1995, kur edhe erdhi të jetojë në Durrës ai vazhdon t’i dhurojë qytetit tonë perla letrare, vargje që të përfshijnë dhe të emocionojnë, vargje ku çdokush nga mund të gjejë veten apo historinë e tij të dashurisë.
Përveç librit të fundit “Ditarët e Mjegullës” Agim Bajrami ka sjellë për lexuesin edhe një sërë veprash të tjera si: “Mbrëmje të puthura”, “Arratisja e pulëbardhës”, “Romancat e muzgut”, “Pse kanguri paska xhep”, “Gomari mbi rrota” etj.
R.O.





