Triumfi në Kampionatin Europian nuk e ndryshoi aspak. Edhe pse në krye të skuadrës shkruajti historinë e Portugalisë, trajneri Fernando Santos u shfaq i përmbajtur dhe deri diku i ftohtë në konferencën për shtyp pas finales në Paris.Fernando Santos: “Është një arritje e madhe për të gjithë ne dhe për vendin tonë, jemi shumë të lumtur. Skuadra tregoi vullnet dhe një shpirt të jashtëzakonshëm, duke marrë në fund një fitore të merituar. Në minutat e para humbëm Ronaldon, por edhe në finale, kapiteni tregoi se është një shembull jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Nuk di të them çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por falënderoj djemtë, që nga faza e grupeve e deri në finale dhanë kontributin e tyre drejt triumfit.”Në konferencën për shtyp i pranishëm ishte edhe Pepe, që u shpall nga UEFA si Lojtari më i mirë i finales, ku luzitanët i kaluan të gjitha parashikimet dhe thyen Francën organizatore.
Pepe: “Ishte një fitore e vështirë, pasi humbëm lojtarin më të mirë, atë që shënon gola dhe bën diferencën në fushë. Por, Zoti na ndihmoi dhe ishim të shkëlqyer në fushë. Luftuam fort, sepse e dinim që të gjithë në Portugali na mbështesnin dhe e ëndërronin këtë sukses. Është një moment fantastik. Kemi shumë talente që do t'i bashkohen përfaqësueses dhe mund të jemi ndër më të mirët në botë. Shkruajtëm një faqe të re të historisë së Portugalisë, por vazhdojmë të rritemi dhe të luftojmë duke sakrifikuar.”





