Franca ishte përgatitur për të festuar titullin e 3-të Europian, por në fund titullin në “Stade de France” e ngriti Portugalia. Didier Deschamp, që 18 vjet më parë kishte mbajtur mbi duar Kupën e Botës në këtë impiant, nuk arriti të fitojë këtë herë Europianin si trajner përpara publikut të tij. Trishtimi i numrit 1 të stolit francez, ishte i dukshëm në momentin që ai u shfaq përpara gazetarëve në sallën e konferencave:
“Jemi shumë të zhgënjyer. Është e vështirë të humbasësh një finale në një mënyrë të tillë megjithatë ne duhet ta pranojmë rezultatin. Urime Portugalisë! Ne patëm mundësitë tona, madje goditëm dhe shtyllën në minutën e fundit të kohës së rregullt, por nuk ishim konkret sa duhet përpara portës. Gjithsesi nuk mund t’i kritikoj lojtarët pasi ata dhanë gjithçka në fushë. Sigurisht është një një trishtim i madh, por na duhet ta kapërdimë, të gjithë së bashku”. Deschamps mohoi gjithashtu dhe faktin se skuadra e tij ndjeu presionin e finales së luajtur në shtëpi: “Nuk mendoj se kishim më shumë presion seç duhet, pasi publiku na përkrahu nga fillimi në fund. Portugalia është një skuadër, që di si të frenojë kundërshtarët, luan shumë mirë në mbrojtje dhe zbret shpejt përpara. Pa Ronaldon, ata u mbyllën dhe më shumë. Ne u përpoqëm të krijonim mundësi, ndoshta lejuam ndonjë hapësirë të tepërt pas, por në total mendoj se luajtëm mirë. Për fat të keq nuk ishte mbrëmja jonë”.





