Nga: Gerilina Kodheli*
Venera Lumani dhe Lindi Islami janë një nga çiftet më simpatike të showbiz. Dy këngëtarët kanë arritur të bëjnë për vete publikun shqiptar pas pjesëmarrjes në “The Voice”, në paskuintat e së cilit lindi edhe dashuria e tyre e madhe, që tashmë është më e konsoliduar se kurrë. Edhe pse planet për një martesë janë të largëta, Venera tregon se me Lindin e lidhin shumë gjëra dhe kanë arritur të gjejnë çelësin e një raporti të shëndoshë. Një histori dashurie si nëpër përralla duket se është ajo mes dy artistëve, të cilët një pjesë të saj na e rrëfejnë në këngën më të fundit “Siento Amor”, ndërsa pjesën tjetër Venera na i zbulon në këtë intervistë për “Summer Pages”.
Venera, sapo keni publikuar këngën tuaj më të re në bashkëpunim me Lindin, “Siento Amor”. Cilët janë autorët e saj?
Teksti është realizuar nga Vojsava Alia, ndërsa për muzikën kemi punuar me Ervin Gonxhin dhe Xhulio Ymeri. Edhe orkestrimin e ka bërë Ervin Gonxhi.
Skenari i videoklipit është ideja jote edhe e Lindit?
Jo. Videoklipi ka si skenarist dhe regjisor Joti Elin.
Keni realizuar disa këngë në bashkëpunim me Lindin. Mendoni të prezantoheni gjithmonë në duet, si çift?
Jo, nuk ma merr mendja se do të këndojmë gjatë gjithë kohës në duet. Thjesht më duket se janë shumë në trend bashkëpunimet dhe përderisa janë në trend donim të vinim bashkë. Veç kësaj na shkojnë zërat, jemi çift dhe njerëzit pëlqejnë të na shohin bashkë, kështu që vendosëm ta bënim të dy.
Meqë po flasim për trendin e kohës, je tunduar nga bashkëpunimet me ndonjë reper?
Po, e kam menduar dhe do më pëlqente shumë të realizoja një të tillë me MC Kreshën.
Pse me të?
Sepse mendoj se është më i miri nga të gjithë reperët.
Sa flet kënga për ju të dy, ty dhe Lindin dhe historinë tuaj të dashurisë?
Kënga është bazuar tek ne të dy dhe çdo gjë është ndjenjë shumë e pastër.
Vendosët të rrëfeni historinë tuaj?
Po.
“Siento amor” do të jetë e vetmja këngë e verës, apo keni projekte të tjera?
Pas “Siento Amor” do vijë një këngë tjetër. E kemi menduar ta lançojmë pas një muaji.
Ndonjë detaj mbi këtë projekt? Sërish këngë dashurie që flet për ju të dy?
Është këngë verore që flet për çmenduritë e stinës, nuk ka të bëjë me dashurinë tonë dhe është bashkëpunim me një DJ.
Si shkon marrëdhënia me Lindin? Cila është pika më e fortë e lidhjes suaj?
Besimi, mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe dashuria mbi të gjitha. Këto i duhen një lidhjeje për të qenë e shëndoshë, ashtu siç është e jona.
Plane për martesë?
Shumë të largëta (qesh).
Të gjitha lidhjet kalojnë kriza, ose të paktën konflikte. Ju si i keni superuar tuajat?
Falë Zotit nuk kemi kaluar situata që mund t’i quaja kriza. Ka pasur keqkuptime, por kanë kaluar menjëherë, domethënë asgjë për tu shqetësuar.
Kush është xhelozi prej jush? Mund të na tregosh një situatë kur je bërë vërtet xheloze?
Jemi të dy me masë, por nuk e tregojmë (qesh). Sinqerisht nuk ka pasur situata të tilla, sepse Lindi nuk të sjell deri aty. Por, nga këto të vocklat ndonjëherë edhe ka. Pastaj ne jemi persona publik, çdo gjë ndodh.
Çfarë nuk do t’i falje kurrë Lindit?
Të më lëndonte.
Cila është aventura më e çmendur verore që keni bërë të dy?
Aventurat tona nuk kanë fund. Më e këndshmja ishte “Auto-Stop’ në verën e vitit 2015.





