Nga Drini Zeqo
A po na ndryshojnë rrjetet sociale? Kjo është pyetja më me vend që i bej vetes këto kohë. Madje shkoj edhe më tej, a po i përdorim ne këto rrjete apo jemi të marrë peng prej tyre. Rrjetet na kane vënë në lojë.
Përpiquni të kujtoni kush jeni dhe cila është ekzistenca juaj pa një profil në rrjetet sociale? Kjo do të ndihmonte të kuptonit atë që jeni ju dhe jo si të tjerët ju shohin. Shumë prej nesh (mbase edhe ti që je duke lexuar) tashmë ke rënë në kurthin e rrjeteve sociale ose të papërgatitjes për të shkuar drejt tyre.
Më ndodh shpesh gjatë nisjes për ndonjë udhëtim të shpejtë jashtë Tirane, të dëgjoj shprehjen “mezi pres të arrijmë që të bëj një check in, apo të postoj një foto”. Këtë e kam bërë edhe vetë në fakt sepse nuk dua ta mohoj se më pëlqen të ndaj me ata që më ndjekin nëpër rrjetet sociale destinacione të vlefshme, ndonjë detaj historik e të tjera si këto. Në të gjithë këtë histori na ndan një fije nga vaniteti dhe nga krijimi i një kulture të re e cila të largon nga “të shijuarit e momenteve”. Kultura “e re” po na bën të jetojmë për të tjerët.
Nuk dua të stërzgjatem, por kryesisht të rinjtë kanë hyrë në një garë që nuk i çon askund. Shumica janë në garë të ethshme, kush poston foton nga resorti më i shtrenjtë në jug. Janë në garë kush ka gjetur shezlongun në vijën e parë të plazhit. Në garë për pjatat më të shtrenjta në tavolina. Janë në garë kush udhëton më makinën më të shpejtë e më të shtrenjtë. Kush ka rroba banjot më të “firmosura”, kush ka motor uji, jaht (edhe të babait apo të dashurit nuk prish punë) dhe të gjitha këto duhet të ekspozohen në Instagram (sepse Facebook nuk është më trend, këtë duhet ta dini), mundësisht shoqëruar edhe me ndonjë shprehje shabllon interneti.
Në paragrafin më sipër nuk po hap temën e leximit (false) të librave në plazh apo kund tjetër, të cilët më shumë ndihmojnë për formimin e bicepsit se të ndonjë zone në tru.
Pasi bën këtë fillon një garë e dytë, ajo për të marrë sa më shumë “like” (pëlqime, ndonëse besoj se është ndërkombëtarizuar si fjalë). Fillon të stresohesh kush të ka bërë e kush jo “like” në Instagram. Buzëqesh me veten ose krekosesh, ndonëse poston ndonjë foto të javëve të shkuara, kur të vijnë komente të tipit “ah lum si ty çfarë jete që bën”. Pavarësisht kësaj “ti” mund të jesh vetëm. Nuk e ke jetuar momentin, ke humbur dallgën më të bukur, atë që s’vjen dy herë… “momentin”
Por kjo nuk ka rëndësi, pasi vjen mbrëmja dhe nuk ke kohë të mendosh. Duhet të jesh në vendin më të modës, aty duhet patjetër edhe një “check in” (një lëvizje në Facebook ose Instragram që tregon vendndodhjen tënde). Duhen fotot me tavolinat, ku shishet me alkool janë duke u derdhur. Këtu po ju evitoj detajin e fishekzjarrëve nëpër koshat me akull që shoqërojnë shishet. Prapë poston foto dhe pret me kërshëri të vijnë komentet e radhës ku “TI” shfaqesh si një qenie supreme gati-gati e paarritshme nga të tjerët.
Kështu vazhdon ky cikël, i krijuar si shumë gjëra të tjera ekskluzivisht në Shqipëri, në mënyrë të shëmtuar nga një pjesë e të rinjve shqiptarë. Kryesisht të rinj që marrëdhënien me paranë dhe veten e kanë absurde. Të rinj që shpenzojnë lekët e prindërve (uroj që këta lloj prindërish mos jenë krenarë për këto lloj shpenzimesh) në formën më groteske. Ata mbase as nuk kanë punuar asnjë ditë në jetën e tyre. Por gjithsesi kjo kategori do të jetë patjetër në stadiumet e Francës për të parë kombëtaren. Nuk ka rëndësi sa shkon bileta, nuk ka rëndësi a je tifoz, rëndësi ka të kesh foton me rezolucionin e duhur nga eventi madhështor. Për femrat me rëndësi është që krehja të ketë mbajtur mirë deri në këtë pikë.
Normale do të ishte që dikush që e ka një punë e që lodhet ta mbajë atë, të zgjohet në mëngjes në orën 07.30 dhe të shkojë drejt zyrës. Por një postim i tillë në Instagram nuk është në modë. I modës do të ishte “I Ëoke Up Like This” (u zgjova kështu) dhe ora paska vajtur 12:00.
Modeli i krijuar përbën një rrezik për një brez i cili meriton të rritet i shëndetshëm. Larg këtij shfrenimi për të marrë vëmendje artificiale dhe “like” nga asgjëja. Nuk është asnjëherë vonë për pak reflektim, për kthim të vërtetë te vetvetja dhe ata që na rrethojnë. Të ndiejmë atë që ndodh rreth nesh pa qenë të detyruar ta ndajmë me të tjerët (e panjohur kryesisht) në kërkim të ledhatimit të egos së paplotësuar.
Përqasja me ndonjë që lexon këtë shkrim është e rastësishme ashtu si edhe ndonjë detaj me publikime të mijat nëpër rrjete sociale. Jeto dhe lër të jetojnë është ajo që duhet të bëni dhe këtë duhet ta nisni që tani.
“Opinion.al”





