Në këtë makinë ishin duke udhëtuar 10 veta, mbushur plot më fëmijë dhe me një pasagjer që kishte hapur bagazhin e mjetit duke e kthyer kështu në ‘kabriolet’.
Fotoja është shkrepur dje te rruga “Aleksandër Goga” në afërsi të Porto Romanos në Durrës, teksa pushuesit ktheheshin nga plazhi.
Ndoshta këta familjarë s’kanë pasur makinë tjetër për të udhëtuar të gjithë së bashku për të kaluar të dielën në plazh dhe kanë rrezikuar duke hipur në një makinë 5-vendëshe. Pra, e kanë kaluar dyfishin e vendeve të lejuara.
Në çdo vend të botës, sikur edhe një pasagjer të hipë mbi numrin e vendeve të caktuara në mjet, gjobitet, ndërsa po të shihej ky rast, të gjithë do të vendosnin duart mbi kokë.
Ky pasagjer rrezikon edhe jetën duke udhëtuar në këtë mënyrë. Sikur një frenim të papritur të bëjë shoferi, ai mund të rrëzohet duke u dalë para makinave që vinë pas.
Por në këtë aks rrugor të qytetit të Durrësit, rrallëherë mund të shohësh ndonjë patrullë policie, dhe kështu qytetarët përfitojnë e udhëtojnë si t’i dojë qejfi.
S.L.





