Ministria e Financave ka gati listën me 2426 ish-të dënuar polikë cilët brenda pak ditësh do të kenë në llogaritë e tyre këstin e gjashtë të dëmshpërblimit. Përfituesit janë nga kategoria parësore, pjesa më e madhe ish-të dënuar që janë gjallë dhe që janë mbi moshën 75-vjeç.

Ministria e Financave bën të ditur se lista është hartuar bazuar në klasifikimin e kategorive prioritare të përcaktuar më parë nga dikasteri i financave. Janë përcaktuar gjashtë kategori prioritare dhe janë përcaktuar dokumentet që duhen plotësuar për çdo kategori përfituese. Të parat në listë janë gratë ish-të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës. Sipas urdhrit të Ministrisë së Financave në kategorinë e dytë me prioritet janë persona ish-të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë.

Ndërsa në kategorinë e tretë me prioritet janë persona ish-të dënuar politik të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda. Për kategorinë e katërt prioritet kanë personat ish-të dënuar që janë gjallë të cilët pavarësisht moshës në momentin e pagesës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç. Ndërsa për kategorinë e pestë me prioritet, “Për persona ish-të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç”. Në kategorinë e gjashtë me prioritet, “Për persona ish-të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur 75 vjeç”, të cilët duhet të dorëzojnë certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit dhe numër llogarie.