Në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” është hapur një ekspozitë personale e piktorit Ilir Dosari, i cili ka paraqitur një trajtim të veçantë të artit në piroteknikë.
Në këtë ekspozitë të parë të tij, ai ka sjellë piktura me motive të ndryshme, peisazhe, si dhe një sërë figurash të njohura historike për vendin tonë, që nga Abdyl Frashëri, Ismail Qemali e Nënë Tereza.
Po ashtu edhe një sërë figurash të njohura të artit dhe kulturës sonë kombëtare. Të gjitha veprat e ekspozuara në stendat e galerisë, janë në teknikën e aplikimit të pikturave në dru me djegie, por në rastin e Dosarit, kjo teknikë ka të veçantën e vet, pasi është aplikuar një përzierje teknikash, nga ato me djegie ne përdorimin e ndërthurur të pikturimit me bojëra vaji deri në përdorimin e ngjyrave me laps.
Duke na sjellë një risi, plot fantazi dhe shije artistike që vihet re lehtësisht nga çdo vizitor. Në rreth 41 piktura të ndërthurura në piroteknikë, Dosari ka përcjellë para artdashësve durrsakë një përvojë rreth 30 vjeçare. Ai e vlerëson shumë piroteknikën, pasi thotë se ajo është e veçantë, sepse me të mund te krijosh efekte të ndryshme që nuk arrin t’i realizosh në vaj.
Në këtë stil punimesh ai thotë se kanë ndikuar mësimet e piktorëve të mirënjohur durrsak Skender Kokoboba dhe Dashamir Gurabardhi, si dhe një përvojë pune me drurin prej 15 viteve si mobilier.
Në mobileri ai thotë se ka marrë përvojën e njohjes së mirë të cilësive të drurit dhe më pas ka aplikuar edhe pikturimin e llojeve të ndryshme. Për këto punime ai ka përdorur kryesisht drurin e plepit, të cilin ai e vlerëson shumë për mundësitë artistike që të lejon të krijosh.





