Nga Ura e Dajlanit e deri në Shkëmbin e Kavajës, në kufi me Golemin, këtë vit nuk është në funksion asnjë kullë vrojtimi për të mundësuar dhënien e ndihmës së parë në det.
12 kulla të vrojtimit u hoqën nga plazhi i Durrësit, në muajin qershor të 2012, sepse ishin amortizuar dhe u shitën skeletet e tyre për skrap, me idenë se do të zëvendësoheshin me të reja, por asnjë prej tyre nuk është vendosur akoma.
Në zonën e Shkëmbit të Kavajës kullat janë në funksion, por nuk ka roje bregdetare në to.
Me qindra pushues që kanë mbërritur në plazhin e Durrësit i bëjnë apel bashkisë së qytetit të vendosë në funksion rojat bregdetare për të garantuar jetën e plazhistëve
Nëse dikush nga fëmijët apo edhe të moshuarit do të ketë nevojë për t’u shpëtuar në det nga mbytja apo edhe probleme të tjera të këtj lloji askush nuk është prezent çka do të thotë se pushuesit nuk janë të sigurt në asnjë moment.
Ky realitet sjell pasiguri tek pushuesit, sidomos tek ata persona që vijnë nga Maqedonia dhe Kosova, të cilët nuk dinë not mirë.
Shqetësimin e tyre lidhur me këtë çështje ata e ngrenë për Durrëslajm duke theksuar se megjithëse ky plazh ka intensitetin më të madh turistik në vend, ka munguar ndër vite një politikë për të krijuar standardet aq shumë të nevojshme të sigurisë.
Kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, për këtë çështje ka thënë se bashkia nuk ka fonde për të paguar notarët që duhet të japin ndihmën e parë për pushuesit që mund të ndodhen në rrezik.
Por ndërsa në plazhin më të madh të vendit nuk janë vendosur rojet bregdetare ata mungojnë edhe në plazhet e tjerë që kanë frekuentim po kaq të madh. Në plazhet e tjera në Shkëmbin e Kavajës, në plazhin e Gjirit të Lalëzit, në plazhin e sektorit Rinia nuk janë marrë masa gjithashtu. Një vit më parë, gjatë sezonit veror, është regjistruar edhe numri më i madh i pushuesve të mbytur në plazhet e qarkut, i cili ka një vijë bregdetare prej 68 Kilometrash.
12 persona janë mbytur në këto plazhe gjatë vitit të shkuar.





