Në mbyllje të takimit me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, kreu i opozitës Lulzim Basha ka dalë përpara mediave, ku ka folur mbi detaje të takimit. Basha ka konfirmuar fokusin e takimit, që ishte reforma në drejtësi duke u shprehur se: “Kjo reformë do të miratohet vetëm me konsensusin e të gjitha palëve”.

Përpara gazetarëve, Basha ka shtuar se tashmë opozita ka lëvizur nga qëndrimet e saj të mëparshme mbi pikat e reformës, por ajo i mbetet besnike paragrafit 88 të Komisionit të Venecias.

“Diskutuam mbi bazën e propozimit tonë dhe propozimeve të tjera, padyshim këto propozime do të jenë pjesë e rrugës së zgjidhjes. E vetmja kërkesë që kemi është që të mbetemi brenda suazës së rekomandimit 88, që reforma të miratohet me konsensus. Rrugë tjetër nuk ka. Nuland ka një rol të çmuar që prej ditës së parë të angazhimit për Shqipërinë, jam i sigurt që do të vazhdojë ta bëjë këtë rol.”– u shpreh Basha.

“Pala jonë ka një propozim konkret dhe ka vullnetin për të diskutuar”, ka përfunduar Basha.