Në pikun e sezonit turistik e në kulmin e vapës, kazanët e mbeturinave në zonën e Shkëmbit të Kavajës janë të tejmbushura. Ato përbëjnë kështu burim infeksioni e sëmundjesh për qytetarët. Njëri prej banorëve ka denoncuar në Durrës Lajm se mbeturinat janë lënë aty prej 3 ditësh nga pastruesit e komunales.
Në këto kushte, imazhi i Shkëmbit të Kavajës dëmtohet rëndë, pasi një turist i huaj apo edhe vendas qoftë, kur përballet me një pamje të tillë, zor se kthehet sërish. Papastërtia e ambientit, ndikon në këtë mënyrë drejtëpërdrejtë edhe tek bizneset, pasi më pak turistë do të thotë më pak klientë për ata.
Mbeturina që dekompozohen, kazanë që kutërbojnë nga era e rëndë, nuk është kjo panorama e denjë për të mirëpritur turistët. Autoritetet vendore duhet të ndërhyjnë sa më parë për t’i kthyer dinjitetin e dikurshëm kësaj zone, jo vetëm për turistët, por edhe për bizneset e për banorët e përhershëm.
R.O.





