Këtë të premte, banorët e zonës së Zall Dardhës në Dibër kanë konstatuar në ujërat e Drinit një trup të pajetë.
Menjëherë në vendngjarje mbërriti policia, e cila bën të ditur se trupi i pajetë është i seksit femër dhe dyshohet se ka mbi 15 ditë që ndodhet në ujë.
Kufoma është pjesërisht e dekompozuar dhe nga këqyrja e trupit dyshohet se është e moshës rreth 30 vjeçe. Viktima ka të veshur një bluzë ngjyrë të bardhë, pantallona të zeza, çorape me lule dhe nuk ka shenja dhune.
Ekspertët e kanë dërguar trupin e pajetë për ekzaminim dhe policia ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të bërë të mundur identifikimin e saj.





