Durrësi është kthyer në epiqendër të pushuesve, jo vetëm nga vendi dhe rajoni por edhe të të huajve. E 10-ta kroçerë me 650 turistë kryesisht britanikë, amerikanë e kanadezë është ndalur në portin e Durrësit. Pjesa më e madhe e tyre e shkelin për herë të parë vendin tonë, në turet turistike ku është përfshirë nga agjencitë turistike prestigjioze në botë.
Kroçera “Azamara Journey” po zhvillon një tur mesdhetar dhe lundrimin e fundit e ka kryer gjatë natës së kaluar nga Dubrovniku në Kroaci. Pas Durrësit turi vijon në Venecia. Në intervistat e dhëna, turistët britanikë e kanadezë janë të mrekulluar me klimën e diellin në Shqipëri. Si zakonisht, një pjesë e turistëve kanë vijuar turin shqiptar me autobusë drejt qyteteve historike të Krujës e Beratit, si dhe drejt Tiranës. Shumë prej turistëve të tjerë do të vizitojnë qendrat arkeologjike dhe muzeale të Durrësit.
“Vij nga Skocia, do të shëtis në qytetin tuaj. Është hera e parë që vij në Shqipëri në këtë tur 7-ditor me anije. Sapo kam zbritur nga anija dhe qenka diell shumë i fortë.”
“Jam nga Mbretëria e bashkuar. Është hera e dytë që vij në Shqipëri. Kam qenë në Tiranë dhe më ka impresionuar shumë vendi juaj i bukur, klima e ngrohtë dhe dielli që keni.
“Jam nga Kanadaja, hera e parë që vij në Shqipëri, shpresoj të keni qytet të bukur dhe mikpritje”, thotë një tjetër turist.
Por porti i Durrësit ende nuk ka krijuar kushte të duhura e të përshtatshme, për pritjen e turistëve të huaj. Anijet turistike ankorohen në kalatën numër 5, aty ku gjendjen vinçat e ngarkim – shkarkimit, dhe sillosët e mëdhenj të grurit. Ndërsa turistët zbresin nga anijet e tyre luksoze, nga sillosët e grurit mbi kokat e tyre derdhet soja e gruri rifuxho. Autoriteti portual i Durrësit duhet të marrë masa konkrete që situate të tilla të mos mbeten as si imazhi i parë e as i fundit tek turistët e klasit të lartë që na vizitojnë.
Që nga fillimi i këtij sezoni turistik, në Durrës kanë mbërritur 10 kroçera dhe velierë luksozë me 5.519 turistë gjithsej.
K.H.





