Policia italiane ka vënë në pranga italianin 32-vjeçarin Giuseppe Sanfilippo, (në foto) banues në Siçili, i cili akuzohet për tentativë vrasje të një shtetasi shqiptar.
Ngjarja ka ndodhur më 28 qershor të vitit të kaluar, në Muggio. Shqiptari 27-vjeçar kishte mbetur në tokë, i mbuluar nga një pishinë gjaku. Policia për fat kishte mbërritur në kohë për ta shpëtuar, përpara humbjes së vetëdijes dhe mundi të thoshte se ishte qëlluar nga një person, të cilit po i dorëzonte një kile marihuanë.
Dhe që në vend të merrte shumën 4 mijë euro, si këmbim kishte marrë plumbat që e kishin prekur në mushkëri.
Një plagë e cila do i kishte kushtuar jetën, por vetëm nga një mrekulli kishte shpëtuar.
Sot policia italiane ka mundur të gjejë autorin. Bëhet fjalë për Giuseppe Sanfilippo, 32-vjeçarin me origjinë nga Siçilia, i cili u arrestua me akuzën e tentativës për vrasje, mbajtje e armëve të zjarrit në mënyrë të paligjshme dhe posedimin e trafikimit e lëndëve narkotike.
Djali është i biri i Salvatore Sanfilippo, 53 vjec, një figurë udhëheqëse e një grupi mafioz të Mazzarino, tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm.
Si shqiptari dhe siciliani e njihnin njëri-tjetrin dhe kanë bashkëpunuar në trafikun e drogës deri sa lindën mosmarrëveshjet mes tyre.
Një ngarkesë droge, një kile marihuanë e shitur dhe e papaguar ishte arsyeja pse siciliani ishte gati për ta vrarë shqiptarin.
Pas tentativës për vrasje, i riu kishte vetëm një dëshirë: të zhdukej. Ai mendonte se duke u strehuar në Sicili: në qytetin e vogël pak kilometra nga Caltanissetta, ku ai ka lindur do ndihej i mbrojtur. Por nuk e mendoi se policia e Desio nuk e kishte humbur nga sytë.





