Tre personalitete janë nderuar në Durrës me rastin e Festës së Detit, e kthyer në traditë prej dy dekadash në qytetin e Durrësit. Ambasadori italian dhe dy biznesmenë janë nderuar me titujt, “Simbol i qytetit të Durrësit”, dhe “Nderi i qytetit të Durrësit.
Me rastin e kësaj feste, ambasadori italian Alberto Cutillo është nderuar me çmimin “ Simbol i qytetit të Durrësit”. Ceremonia e dhënies së këtij çmimi është zhvilluar në sallën e Këshillit Bashkiak të qytetit në praninë e shumë qytetarëve durrsakë, të cilët kishin ardhur për të respektuar diplomatin italian në vendin tonë. Titulli iu dorëzua me motivacionin, “Për kontributin e rëndësishëm në mbështetje të popullit shqiptar dhe qytetarëve durrsakë për integrimin e Shqipërisë në Komunitetin Europian si dhe për kujdesin e vazhdueshëm për promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore ne qytetin e Durrësit”, iu dorëzua këtij personaliteti të diplomacisë Italiane nga Kryetari i Bashkisë së qytetit të Durrësit Vangjush Dako.
Krahas figurës së ambasadorit , janë vlerësuar me titujt “Nderi i qytetit të Durrësit” biznesmenët Maliq Mullai dhe Shefqet Billa.
Një shëtitje me anije në gjirin e Durrësit, dhe një koncert festiv në sallën e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” me artistë të njohur të skenës shqiptare kanë mbyllur aktivitetin me rastin e Festës së Detit 2016.





