Taulant Xhaka nervoz se luajti pak në Evropian? E vërtetë, por jo deri në atë pikë sa të kërkojë largimin nga kombëtarja shqiptare, siç po aludohet në mediat të ndryshime. Babai i Taulant Xhakës, Ragip Xhaka, në një prononcim për Gazetën Express, ka hedhur poshtë spekulimet për ndonjë debat mes djalit të tij dhe trajnerit Xhani De Biazi, ndërsa ka pranuar se Taulanti ishte nervoz vetëm për ndeshjen hapëse, kur u përball me vëllain e vet, Granitin.

“Gjithçka që është shkruar është e pavërtetë. Taulanti nuk është përleshur me De Biazin, ndërsa për Gashin nuk mund të them asgjë sepse nuk e di. Taulanti është nervozuar kur trajneri ka vendosur që ta heq atë nga loja në ndeshjen ndaj Zvicrës, diçka që pasoi me gjuajtjen e shishes së ujit. Ai dëshironte që të luajë gjithë ndeshjen kundër vëllait të tij, Granitit dhe nervozizmi ishte normale aty”.

“Kuptohet se nuk e ka pritur aspak mirë atë vendim, por nuk është e vërtetë se do të largohet nga Kombëtarja dhe se është përleshur me trajnerin. Nuk do ta braktisë kombëtaren”, theksoi më tej Xhaka.

“Taulanti nuk luajti në ndeshjen e fundit pasi ishte i sëmurë. Ai qëndroi i shtrirë për tre ditë duke mos u stërvitur fare. Unë ende nuk e kamë parë Taulantin. Ai gjatë ditës së shtune do të vij në Zvicër dhe do të qartësohet kjo që shkruhet, por unë e përsëris sërish se asgjë nuk është e vërtetë”, përfundoi Ragip Xhaka.