Një sërë problematikash janë evidentuar në 9 qendra të përkujdesjes për fëmijë e të mitur pas një monitorimi nga Avokati i Popullit, duke nisur nga emërimet dhe punësimet në personel, të cilat nuk rezulton të jenë bërë ndërmjet konkurrimit dhe testimeve.
“90 e ca % të stafit, punonjësit janë të rekrutuar pa konkurs, në mënyrë jo transparente. Urdhri i kryeministrit për organikat e këtyre qendrave nuk është në përputhje me gjendjen reale”, thotë Igli Totozani.
Gati në kufijtë e rrezikshmërisë, problem është edhe mungesa e masave kundër zjarrit dhe moskolaudimi i bombolave të përdorura në gatim.
Raporti i plotë pritet të publikohet në fund të qershorit dhe është rezultat i një monitorimi të 6 qendrave të përkujdesjes për fëmijë nga mosha 0-6 vjeç dhe 3 qendrave të tjera nga mosha 6-18 vjeç në Shkodër, Tiranë dhe Vlorë.





