Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka humbur gjyqin me kreun e PD-së, Lulzim Basha, të cilin e kishte paditur për shpifje dhe fyerje.

Gjykata ka shpallur sot të pafajshëm Bashën, ndërsa menjëherë pas këtij vendimi, Beqaj tha se do apelojë duke akuzuar prokurorinë dhe gjykatën se po legjitimojnë fyerjen dhe shpifjen.

“Do ta apeloj vendimin e gjykatës. Prokuroria dhe Gjykata legjitimojnë fyerjen dhe shpifjen si mënyrë e të bërit politikë”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë ngriti padi ndaj Bashës pasi ky i fundit e akuzoi për vjedhjen e 31 milionë eurove. Beqaj u shpreh në atë kohë se nëse Basha do të vërtetonte para gjykatës se ai ka vjedhur, atëherë ai do të tërhiqej nga politika.

Pas vendimit të Gjykatës, reagoi edhe Partia Demokratike, e cila në një deklaratë për mediat, tha se tashmë është certifikuar zyrtarisht se ministri Beqaj është kampion i Edi Ramës në vjedhje.