Hapja e Muzeut Arkeologjik pas tre vjetësh në rikonstruksion, ka bërë që ky objekt i rëndësisë së veçantë për kulturën e historinë durrsake, të mbetet më i vizituari nga turistët vendas e të huaj. Në muzeun arkeologjik të Durrësit, numri i vizitorëve është shtuar ndjeshëm këtë vit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky numër ka pasur një trend rritjeje afërsisht me 50 % më shumë, si gjashtëmujor. Kjo është reflektuar edhe në të ardhurat monetare të muzeut, ku reflektohet kjo rritje. Kreu i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Ledjon Lako, bën me dije se ky numër vizitorësh është duke u rritur nga dita në ditë.

Sipas Lakos, numri i vizitorëve është edhe më i madh realisht, pasi në muze ka edhe kategori vizitorësh pa pagesa, si delegacionet e ndryshme shtetërore të huaja, por edhe nxënës e studentë që vijnë në muze në bazë të projektit “Miku i Monumenteve”.

Numri i vizitorëve pritet që të jetë në rritje. Kjo dhe për faktin që Amfiteatri i Durrësit është një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës në vend, i vlerësuar dhe nga studimet e huaja për vlerat e tij historike. Vlerë e qytetit është dhe Muzeu Arkeologjik, me një numër të madh objektesh e artifaktesh që ekspozohen në të me interes për studiues vendas dhe të huaj.

K.H.