Britania e Madhe nuk do të jetë më pjesë e Bashkimit Europian. Ky ka qenë vendimi i nxjerrë nga referendumi që u mbajt një ditë më parë.

Në përfundim të numërimit të votave, rezultoi që 51.9% e qytetarëve britanikë kanë votuar që të dalin nga unioni dhe 48.1% kanë votuar pro qëndrimit në BE.

E përkthyer në vota, 17,410,742 e qytetarëve votuan që të dalin nga BE dhe 16,141,241 votuan pro qëndrimit në union.

Uellsi dhe Anglia kanë votuar për daljen e Britanisë madhe nga BE-ja, ndërsa Irlanda e Veriut dhe Skocia kanë votuar kundër daljes.

Kanë mbetur ende edhe 8 qendra numërimi pa u mbyllur, por “BBC” ka parashikuar edhe rezultatin e tyre, duke e bërë fakt tashmë daljen nga Bashkimi Europian.

Procesi i numërimit vijon vetëm në Angli, ndërkohë që në Irlandën e Veriut, Uells, Skoci dhe Gjilbratar ka përfunduar. 

Zyrtarët e numërimit të votave thanë se pjesëmarrja ishte e lartë në këtë referendum, i cili kishte të bënte me emigracionin, sovranitetin, sigurinë dhe të ardhmen ekonomike të Britanisë.