Futbollistët e Kombëtares janë pritur si heronj nga tifozët. Gjatë ceremonisë së zhvilluar për të nderuar lojtarët kuqezi, Kryeministri Edi Rama, mbajti një fjalim plot emocion e mirënjohje. Ai falënderoi të gjithë lojtarët, me në krye trajnerin e tyre Gianni De Biasi, ndërsa nuk nguroi që ta thërriste atë edhe njëherë ashtu si dikur: ‘Gianni o xhan, faleminderit mik i shtrenjtë!’.
Ndër të tjera kreu i Qeverisë tha se një falënderim i shkon edhe lojtarit të 12, tifozëve kuqezi. “Vëllezër kuqezinj, Giani De Biasi, të nderuar futbollistë është një privilegj që së bashku me veteranët e fanellës kuq e zi t’ju uroj me mirënjohje të madhe këtë kthim në atdhe pas misionit tuaj në Francë. Latë pas edhe falë lojtarit të 12 të kësaj kombëtare, tiofozerisë, imazhin e bukur të një Shqipërie kurajoze, krenare dhe europiane dhe sjelljen qytetarë.
Jo vetëm këtë sallë, por as një stadium s’mund ta nxinte lojtarin e 12. Ndaj do doja një duartrokitje për tifozët.”, tha Rama.
Nga ana tjetër Rama u kërkoi të gjithë të pranishmëve në sallë që në shenjë nderimi dhe respekti të duartrokisnin për lojtarin e 12-tifozët shqitparë. Sakaq, Rama nuk la pa përmendur edhe një tjetër element që u vu re gjatë ndeshjeve të Kombëtares Shqiptare të Futbollit në Euro 2016, Rike Roçin, tifozen bukuroshe shqiptare që e quajti ‘qershia mbi tortë’ fotot e të cilës bënë xhiro në rrjetet dhe mediat ndërkombëtare, si tifozja më e bukur e Europianit.
“Kjo e djemve të Kombëtares që janë mësuar të duartrokiten dhe jo duartrokasin ishte një duartrokitje për dhjetra e mijëra shqiptarët, për që qëndruan pranë jush në beteja të vështira. E morën rrugën të vinin nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, e jashtë kufijve. Pamë në këtë Europian një skuadër të vërtetë dhe një publik të mrekullueshëm. Edhe qershia mbi tortën e festës, vajza që mori vëmendjen e Euro 2016 dhe rrjeteve sociale, ishte një tifozë e kuqezinjve. Nuk do jetë dot mjaft ajo që keni dhënë ju për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku rrojmë, shkon shumë përjetë futbollit.
Asnjëri prej jush nuk është dhe nuk do jetë për shumë kohë i qetë, nga ato që morët dhe që Shqipërua mori nga verdikti i fushës. Fillimi i ndeshjeve dhe kthimi i ndeshjeve kthehet, tek goli i marrë me Zvicrën, tek fundi i pamëshirshëm i ndeshjes me Francën dhe tek ai dreq goli i dytë që rezultoi i rëndë sa një mal”, theksoi Rama.
E ndërsa trajneri Gianni de Biasi u shpreh se është krenar për këtë Kombëtare dhe se do të vazhdojë të japë kontributin e tij, duke nënkuptuar se do vijojë të jetë trajneri i Shqipërisë.
“E vështirë të flasësh para teje Edi. Megjithatë edhe mendoj se jam në mënyrë diskrete komunikues. Herën e fundit që u takuam ishte me rastin e botimit të librit të një mikut tonë të përbashkët. Nuk e di modestisht nëse në ribotimin e këtij libri do ketë vend për europianin. Unë besoj që të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për atë që kemi bërë. Shpresoj të gjej edhe unë një vend në librin që keni bërë, sidomos nesër”,- tha Gianni në nisje.
“Unë mendoj se pas këtij kampionati e gjithë bota sportive ka filluar të na marrë me seriozisht”,-vijoi ai.
“Këta djem kanë bërë hovin mendor për të kaluar nga forca e individit tek forca e grupit. Duke krahasuar me paraardhësit i jam mirënjohës që tek këta të rinj kemi farkëtuar shpirtin e skuadrës. Djemtë tanë treguan që dinë të jenë fitimtarë, kjo është forca e skuadrës tonë. Edhe tifozët luftuan me ne, ata i fituan të treja ndeshjet. Nëse mrekullitë bëhen edhe mbi disfata, kjo është një mrekulli”,- shtoi trajneri.
Më shumë se sa një shqiptar, trajneri italian u shpreh i nderuar për “Shqiptarinë”. “Shqiptaria për mua është titull nderi, gati gati e njoh më mirë himnin shqiptar se sa ai italian. Për këtë i detyrohemi brezave të rinj. Ti Edi flet shpesh për Rilindje, por me ç’ka bëmë në Francë kemi mundësi të bëjmë një rilindje të vërtetë… Prandaj do vazhdoj të rri akoma këtu për të vazhduar rrugën e mrekullisë”.





