Anjeza Shabani, administratorja e kopshtit “Diren” që dhunoi barbarisht 3- vjeçarin, u la në burg sot nga gjykata. Por, nuk ka qenë ky rasti i vetëm i keqtrajtimit të të miturve. Ajo akuzohet edhe për dhunimin e të paktën dy fëmijëve të tjerë.
Burime të gazetës “Panorama” brenda grupit hetimor të çështjes, konfirmojnë në mënyrë jozyrtare se ndaj 32-vjeçares, ish-gazetare e emisionit “Alarm” janë bërë dy kallëzime të reja nga dy prindër të tjerë, që dërgonin fëmijët në këtë kopësht.
Sipas kallëzimeve, prindërit pretendojnë se Shabani ka dhunuar fëmijët e tyre.
Ajo u arrestua pak ditë më parë, pas videos tronditëse të publikuar në emisionin investigativ “Stop”, ku rrihte pa mëshirë vogëlushin 3 vjeç. Traumat tek i mituri ishin aq të mëdha sa ai zgjohej natën e godiste veten, duke qarë vazhdimisht. Pas dyshimeve të prindërve, të cilët panë edhe shenja në trupin e të birit, në kopshtin “Diren” u vendosën kamera të fshehta, çka nxorrën në pah anën çnjerëzore të administratores Shabani, nënë e një vajze të vogël gjithashtu.





