Letrat me vlerë të Qeverisë nuk po shihen më nga qytetarët si një alternativë e leverdishme investimi. Në ankandin e një dite më parë, Qeveria nuk arriti të sigurojë të gjithë shumën e kërkuar për bonot 1 vjeçare dhe obligacionet 2 vjeçare. Arsyeja vlerësohet të jetë ulja e ndjeshme e interesave. Nga përllogaritjet rezulton se qytetarët dhe bankat tregtare fitojnë sot nga investimi në bonot 1 vjeçare rreth 6.7 miliardë lekë më pak se në vitin 2007.

Qytetarët nuk po i shohim më letra me vlerë të Qeverisë si një alternativë të mirë investimi, nëpërmjet të cilave të sigurojnë fitime të kënaqshme

Në ankandin e një dite më parë, Qeveria nuk arriti të sigurojë të gjithë shumën e kërkuar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për bonot 1 vjeçare shuma e kërkuar ishte 7.1 mld lekë, ndërsa u sigurua vetëm 5.7 mld lekë.

Ndërsa për obligacionet 2 vjeçare u kërkua të bliheshin 5 miliardë lekë dhe u sigurua vetëm 3 miliardë.

Arsyeja kryesore e rënies së interesit të qytetarve janë normat e ulëta të fitimit. Në ankandin e djeshëm interesat e bonove 1 vjeçare ishin 1.3%, ndërsa i obligacioneve 1.5%

Interesat e letrave me vlerë të Qeverisë kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit pas vendimeve të njëpasnjëshme të Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë.

Në vitin 2007, interesat e bonove 1 vjeçare arrinin mesatarisht në 8%.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në këto bono u investuan në këtë vit 143.6 miliardë lekë, duke u siguruar qytetarëve dhe bankave një fitim prej 11.4 miliardë lekësh. 8 vite më pas situata ka ndryshuar tërësisht.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në bonot 1 vjeçare janë investuar 190.5 miliardë lekë, ndërsa interesi mesatar ka qenë 2.5%. fitimi që qytetarët dhe bankat kanë siguruar vlerësohet në rreth 4.7 miliardë lekë, ose rreth 6.7 miliardë më pak se në vitin 2007.

Pas depozitave, qytetarët po humbasin edhe një tjetër alternativë për të investuar, duke u gjendur në dilemën se ku mund t’i përdorin paratë e tyre.

ANKANDI I BONOVE TË THESARIT

U kërkua             7.1 mld lekë

U sigurua            5.7 mld lekë

ANKANDI I OBLIGACIONEVE 2 VJEÇARE

U kërkua             5 mld lekë

U sigurua            3 mld lekë

INTERESAT NË ANKANDIN E SË MARTËS

Për bonot 1 vjecare           1.3%

Për obligacionet 2 vjecare       1.5%

BONOT 1-VJEÇARE MË 2007

Vlera e investuar              143.6 mld lekë

Interesi mesatar                8%

Fitimi i siguruar               11.4 mld lekë

BONOT 1-VJEÇARE MË 2015

Vlera e investuar              190.5 mld lekë

Interesi mesatar                2.5%

Fitimi i siguruar               4.7 mld lekë

/Ora News/