Ndonëse ende nuk ka përfunduar zyrtarisht shitja tek kinezët e Aeroportit “Nënë Tereza“ drejtori aktual ekzekutiv, Kastro-Vaskez shprehet se, heqja e ekskluzivitetit të aeroportit do nuk do të ndikojë në uljen e çmimit të biletave për pasagjerët. Në një intervistë për emisionin “Të bësh ekonomi“, Vaskez argumenton se, çmimet e larta të biletave të fluturimit, nuk lidhen me taksat aereoportuale por me kulturën e rezervimit të shqiptarëve. Në Shqipëri, thotë drejtori i përgjithshëm i aeroportit, qytetarët i prenotojnë biletat shumë vonë, që do të thotë fluturime më të shtrenjta. Në intervistën për ‘News 24’, Kastro-Vaskez, flet edhe në cilësinë e presidentit të Shoqatës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë. Intervistën e plotë ju ftojmë ta ndiqni sonte në emisionin të bësh ekonomi në orën 21.00.
– Ju aktualisht jeni edhe drejtori ekzekutiv i përgjithshëm i Aeroportit “Nënë Tereza“, në ç’fazë jeni me shitjen e kompanisë tek kinezët?
Së pari, më bën përshtypje se pse pikërisht kinezët kanë tërhequr kaq shumë vëmendje! Faktikisht, kanë ndodhur edhe më parë shitje të tilla. Aksione gjermane të TIA-s u janë shitur investitorëve spanjollë, më pas pjesa gjermane u është shitur kanadezëve, tani po u shitet kinezëve. Në fakt më duket shumë pozitive që aksionet po u shiten kinezëve, sepse janë investitorë, që së pari duan të jenë aktivë në Shqipëri dhe unë shpresoj që ky investim do të ndiqet edhe nga investime të tjera, nëse ky projekt do të rezultojë i suksesshëm. Për momentin bëhet fjalë për një bashkëpunim mes pronarëve dhe është një proces që ende nuk ka përfunduar. Nuk janë përfunduar ende kontratat, duhet aprovimi i një sërë institucioneve. Në momentin që të kenë përfunduar këto procedura, atëherë do të vuloset edhe kontrata zyrtarisht. Për momentin jemi ende në proces dhe unë shpresoj që kjo të jetë diçka pozitive, jo vetëm për aeroportin, por edhe për Shqipërinë.
Një prej partnerëve të investimit ka 49 % të pronësisë së “Toulouse” dhe deri tani nuk kam dëgjuar asgjë negative mbi Toulouse.
– Me ndryshimin e marrëveshjes me qeverinë shqiptare për heqjen e ekskluzivitetit të TIA-s, çfarë pritet të ndryshojë me hapjen e aeroporteve të tjera në vend siç është ai i Kukësit? Do të ketë vërtetë konkurrencë dhe a do të ndikojë tek çmimi final i biletës së pasagjerëve?
Së pari, ka qenë një proces i gjatë, na është dashur të diskutojmë gjatë me Ministrin Haxhinasto dhe Ministrin Ahmetaj. Ekskluziviteti ka qenë gjithnjë si një tregues, që ka vetëm një aeroport, nuk ka shanse të tjera dhe mendohej se si mund të vazhdohet më tej. Ne presim që me tu hapur një aeroport në Kukës dhe ndoshta edhe një në jug të Shqipërisë, të ketë më shumë pasagjerë. Pra, nuk presim largimin e pasagjerëve nga TIA, por më shumë pasagjerë për rajonin. Në veri kemi Kosovën, e cila tani është shumë pranë nëpërmjet autostradës. Pra, unë e shoh edhe këtë me pozitivitet dhe nuk mendoj se do të ketë më pak pasagjerë në Tiranë, por pres që në përgjithësi të ketë më shumë pasagjerë. Për sa i përket çmimit të biletës, dëgjojmë gjithnjë të thuhet se biletat në Shqipëri janë shumë të shtrenjta. Po, ky është një problem, kryesisht në verë, sepse në verë kërkesa është shumë e lartë, avionët janë plot dhe për këtë arsye edhe kompanitë ajrore kërkojnë më shumë para për biletat që shesin. Nëse ju shkoni në Dhërmi në maj, mund të gjeni një dhomë hoteli për 40 Euro, por nëse shkoni në korrik në të njëjtin hotel, ju duhet të paguani 100 euro. I njëjti parim funksionon edhe në rastin e biletave. Nuk ka të bëjë shumë me vetë aeroportin, se sa me raportin kërkesë-ofertë.
Nuk më duket se u bindët!
– Përse vetëm në Shqipëri biletat e fluturimit me vendet e tjera janë shumë më të larta se ato të rajonit?
Ka të bëjë dhe me kulturën e rezervimit të shqiptarëve. Këtu shumica e njerëzve rezervon relativisht vonë. Nuk rezervohet 6 muaj përpara, por kryesisht 2-3 javë më përpara, kështu ndodh rëndom në Shqipëri, madje dhe unë vetë kam filluar të veproj kështu tani. Pra kultura e rezervimit luan rol këtu. Edhe nëse rezervoni me një kompani “low-cost“(kompani që operon me kosto të ulëta) në momentin e fundit, bileta do të jetë e shtrenjtë. P.sh, nëse unë do të rezervoja me Ryan Air brenda 7 ditësh përpara fluturimit, bileta do të jetë e shtrenjtë. Për më tepër, në Shqipëri kemi sezonalitet. Kemi muaj ku pothuajse nuk ka lëvizje, ose ka shumë pak, p.sh. në shkurt, mars, në nëntor, apo në mes të janarit. Pra këtu nuk kemi kapacitetin që të ketë fluturime gjatë gjithë vitit. E ndërsa kemi kaq pak lëvizje në periudhën jashtë sezonit, nuk mund të presim që tregu të jetë i ngopur me bileta në verë. Pikërisht ky është shkaku që biletat janë të shtrenjta në verë, duke qenë se nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën e tregut. Pra në verë kemi kërkesë më të madhe se oferta dhe për pasojë, edhe çmime të larta. Gjithashtu është edhe çështja e destinacionit të fluturimeve “low cost” (me kosto të ulëta). Duhet parë se cilat janë ato destinacione, ku kërkesa për të fluturuar është aq e lartë, saqë ia vlen të ofrosh fluturime “low cost”.
– Nuk mendoni se taksat aereoportuale janë shumë të larta?
Këtë pyetje e dëgjoj shpesh, nuk është e re. Unë mund të them vetëm se çmimi varet nga bileta. Nëse ju gjeni një ofertë për 19.99 EUR në linjat europiane, kësaj i shtohen taksat aeroportuale, i shtohet karburanti, siguria. E njëjta gjë ndodh edhe këtu në Shqipëri. Ne kemi 10 EUR taksë për kalim kufiri, të cilën ia paguajmë shtetit dhe të njëjtën gjë keni edhe në shtetet e tjera. Nuk e kuptoj se pse faji i lihet gjithmonë aeroportit. Aeroporti nuk merr asnjëherë më shumë se 15 % të çmimit të biletës.
– TIA është kritikuar nga Autoriteti i Konkurrencës për monopol edhe për furnizimin me karburant të avionëve, gjë që ndikon tek çmimi final i biletës, sa e vërtetë është kjo?
TIA nuk furnizon me karburant. Atë e ofron BP (British Petroleum). E vërtetë është që kemi vetëm një ofrues, por kjo vetëm për shkak të faktit që kërkesa në Shqipëri nuk ka qenë shumë e madhe. Për momentin ka vetëm një ofrues karburanti, por jemi në proces për të patur një të dytë. Kur erdhëm në Shqipëri, përpara 11 vitesh, nuk kishte biznese që do të ishin të gatshëm të ofronin një pikë të dytë karburanti, sepse nuk konsumohej shumë. Sot situata duket ndryshe, kemi thuajse 2 milionë pasagjerë dhe mendoj se tani jemi mjaftueshëm tërheqës, për të patur në të ardhmen edhe një ofrues të dytë karburanti, gjë që ndoshta edhe do të ulte çmimet, për hir të konkurrencës./Balkanweb





