Nga Mero Baze
Anjeza Shabani është realisht një produkt monstruoz i kohës sonë. Një vajzë me ambicie përtej mundësive, që bën gjithçka të arrijë aty ku do. Një kolegu im nga Durrësi ka pasur një përballje të gjatë me të kur punonte si gjoja gazetare tek “Ora News”. Ishte aq e përkushtuar të përdorej politikisht dhe financiarisht kundër tij dhe familjes së tij, sa për një kohë atij ju kthye në një dramë gati personale qërimi i hesapeve me të.
Pastaj emisioni u mbyll nga pronarët e Tv Orës, dhe i vetmi që i doli për zot, duke e quajtur akt politik mbylljen e emisionit dhe mbetjen pa punë të Anjezës, ishte Sali Berisha, postimi i të cilit është ende në Facebook.
Pastaj Anjeza duket se ka vrapuar pas një biznesi tjetër, këtë radhë sërish pa licencë. Ka marrë para nga familjarë për të edukuar fëmijët, ndërkohë që është një monument i njeriut të pagdhendur dhe të frustruar. Mijëra njerëz në rrjet sot e urrejnë dhe për makinat “Porsche” apo fotot e jetës së saj luksoze, por jam i bindur që dhe ato janë false. Ajo nuk është jeta e saj, por ajo çfarë ajo do të duket se është, ajo e cila e çon te mospasja e një kufiri mes të mirës dhe të keqes dhe për të fituar ca lekë.
Anjeza sot është në duart e drejtësisë, dhe ndoshta këtu mbaron historia e saj.
Nga ana tjetër reagimi dhe histeria ndaj dhunës së saj, ishte gjëja më e dhunshme që kam parë ndonjë herë. E kuptoj që është një rast i mirë, të dukesh e kundërta e saj, të dukesh nënë e mirë, apo baba i revoltuar, e kuptoj që çdo gjë është e pagëlltitshme në atë që ka bërë, por thirrjet masive për ta vrarë , për ta zhdukur, për t’i hequr mitrën, etj. si këto, tregojnë se mijëra “Anjeza” të tjera flenë brenda nesh, në mendjen tonë, në përvojën tonë, në historitë tona.
Unë vetë nuk mund të jap një recetë se si duhet sjellë ndaj kësaj monstre dhe jam aq frikacak, sa as videon s’kam guxuar ta shikoj ende, pikërisht se jam si të gjithë ju, që do shpërthej e do them “ajo duhet vrarë”. Por kam një adhurim të pamatë për prindërit e djalit të dhunuar, që ndryshe nga histeria e turmës, kanë gjetur kurajë të faktojnë dhunën dhe të shpëtojnë qindra fëmijë të tjerë, që mund të bëhen viktima të rasteve të ngjashme. Ata janë heronjtë e vërtetë të kësaj drame, që duhen “dekoruar”.
Fakti që ne të tjerëve, gjëja e parë që na shkon në mendje, është ta vrasim, do të thotë se kemi të gjithë nga “një Anjezë” brenda vetes, të cilën duhet të vrasim të parën.
Pastaj pas saj duhet të vrasim indiferencën dhe të reagojmë kur shikojmë që një biznes kaq delikat i nevojshëm, jo vetëm të licencohet, por dhe të paratestohet para licencimit, vepron pa problem sikur të ishte degë e Cambridge-it në Shqipëri. Dhe nuk është fjala vetëm tek licenca profesionale, por dhe tek ajo fiskale, te një sërë letrash që të lidhin me formalitetin në biznese të tilla. Dhe këtu janë përgjegjës që nga ata tatimorët e rrugës që të bezdisin dhe për kokoshka, e deri te Ministria e Arsimit, që nuk ka një sistem identifikimi të këtyre institucioneve, jo vetëm informale, por dhe shoqërisht të rrezikshme. Të hapësh një kafe pa leje, maksimumi mund të dëmtosh buxhetin e shtetit, por të hapësh një kopsht pa leje, apo një institucion edukimi, të drejtuara nga monstra të tilla, prodhon bomba sociale.
Dikush duhet të përballet me ligjin në zonën ku ajo ka vepruar e palicencuar dhe ky duhet të jetë reagimi i shtetit.
Dikush duhet të përballet me ligjin për dhunën e ushtruar mbi atë fëmijë dhe ajo tani është Anjeza.
Ne të tjerët duhet të përballemi me vetveten dhe ta shikojmë si mund ta vrasim “çdo Anjezë” që fle brenda nesh, si qelizë e dhunës dhe shoqërisë primitive, nga vijmë. Nëse nuk do ishim të tillë, do kishte shumë pak “Anjeza” mes nesh.
Marrë nga “Tema”





