Nga DORIAN HATIBI*
Është një histori e bukur që tregohet në Durrës dhe i përket kohës kur Perandoria Otomane po shpërbëhej. Vendi ishte buzë greminës dhe i ndarë mes nostalgjikëve dhe atyre që luftonin për pavarësi. Myftiu i qytetit, bashkë me monsignorin katolik dhe papun ortodoks kishin krijuar një traditë mes tyre ku çdo të diel dilnin dhe shëtisnin në rrugën kryesore të qytetit. Në përfundim të xhiros ata uleshin së bashku diku për të pirë një çaj përsëri bashkë.
Nuk e di sa kjo ka ndihmuar në forcimin e unitetit kombëtarë por, sic ma do mendja se ka ndodhur, me siguri ky ka qenë një simbol i jashtëzakonshëm se çfarë janë muslimanët shqiptarë.
“Mes kronikave me terroristë e me lloj-lloj monstruoziteteve nëpër botë, diku në Ballkan, për Evropën, qëndron ende një fortesë e palëkundur e Islamit, siç predikohej nga Profeti Muhamed” më thoshte një mik i huaj katolik.
Dhe ky imazhi i mrekullueshëm i muslimanëve tanë është më shumë sesa objekt krenarie për të gjithë ne.
Sigurisht që kudo ka përjashtime. Unë personalisht duhet të pranoj revoltën që kam ndjerë shpesh, sa herë dikush ka vrarë të pafajshëm në “emër të Zotit”. Veçanërisht kur kjo ka ndodhur nga një musliman shqiptar diku nëpër botë. Por për mua muslimanët e vërtetë shqiptarë janë prindërit e mi, gjyshërit e mi, komshinjtë e mi, e dashura ime! Ata që më urojnë Pashkën dhe Krishtlindjen, e të cilëve i uroj Bajramin!
Madje madje unë nuk kam nevojë të mësoj nga Islami i asnjë vendi tjetër, sepse mua më mjafton shembulli i muslimanëve që më rrethojnë këtu në vendin tim.
Asnjë fe në botë nuk është më e keqkuptuar se Islami.
Paragjykimi, mllefi e revolta, janë ndjesitë e zakonshme në Evropë. Përjashtimi, izolimi dhe stigmatizimi po protokollohen tashmë kudo si mënyrë normale veprimi ndaj Islamit. Dhe ndërkohë kjo vetëm sa e thellon përçarjen. Në vend të kësaj ndoshta duhet të informohemi më shumë që të kuptojmë më tepër. Ku ka dije s’ka vend për paragjykim e frikë. Frika, mllefi dhe paragjykimi janë karakteristikat themelore të injorancës.
E ndoshta kjo është detyra që na parashtrohet të gjithëve në këtë prag Ramazani. Nga njëra anë detyra e muslimanëve për t’i mësuar botës paqen, dashurinë dhe lëmoshën islame dhe nga ana tjetër detyrën e kujtdo tjetër, jo mysliman, për të vëzhguar me mendje të hapur këtë panair fantastik të humanitetit. Nga ky “komunikim në distancë” mund të fitojë vetëm e vërteta.
Ramazani (shpesh si 'muaji i vapës ose i thatësirës' në arabisht) është muaji i nëntë i kalendarit mysliman. Është shumë e bukur etimologjia e fjalës “agjërim” në arabisht, ajo vjen nga fjala “Saum” ose "sijam" (S-v-m) dhe një nga kuptimet është pikërisht “vetë-përmbahem, vetë-përkohem”. Dhe akoma më të bukur këtë përmbajtje e bën fakti, se për shembull këtë vit, kjo kërkohet nga Zoti pikërisht në muajin e vapës dhe të thatësirës. Gati një sfidë që Zoti i bën njeriut jo vetëm për të provuar devotshmërinë e tij, por edhe për të kuptuar pendesën e tij. Akoma më interesant është fakti se kjo i kërkohet kujtdo, pa dallime klasore. Dhe në këtë pikë kemi atë që në psikologji quhet “faza empatike”.
Ky është momenti kur një i pasur përjeton urinë e një të varfëri, e kur një mëkatar përjeton çlirimin e një shenjtori.
Nga këtu presupozimi se agjërimi nuk është vetëm një detyrë fizike.
“Ai njeri që ka agjëruar me stomak dhe nuk ka bërë agjërim me shqisa, ai veç sa ka përjetuar urinë dhe etjen.”- thotë Profeti Muhamed a.s. Agjërimi gjatë Ramazanit është një disiplinim shqisor. Që do të thotë edhe një disiplinim dhe korrigjim i marrëdhënieve me botën që të rrethon.
Ja, sfidën e kemi të hapur! Muslimanët kanë mundësinë t’i shpallin botës mrekullinë e besimit të tyre dhe ne të tjerët detyrimin e një mundësie të dytë. Detyrimin për të rrëzuar muret dhe frikërat dhe mundësinë për të “përgjuar” një botë tjetër, një botë të re.
E nga këtu urimi për të gjithë muslimanët për një Ramazan të Pranuar dhe të Gëzuar!





