Nga Prof. Asoc.Dr. Gafur Muka

Sapo janë ulur në karriget e tyre drejtuesit e rinj të universiteteve publike-rektorë e dekanë, senatorë e shefa departamentesh. Të gjithë me detyrimin për të rritur më tej vlerat, për të krijuar vlera të reja e, për të lënë gjurmë në një periudhë katër vjeçare. Natyrisht, ata janë njohës të ambientit universitar dhe, mbi këtë bazë, programet e tyre elektorale, për të cilat dhe u votuan, përmbanin shqetësime evidente por edhe zgjidhje, kryesisht bindëse. Tani, të ulur në karriget e reja, kanë detyrimin të përdorin të gjitha të drejtat, që më së pari ua jep ligji, për të realizuar të gjitha premtimet që ua kërkojnë zgjedhësit, por edhe morali për fjalën e mbajtur. Ajo që kërkohet mbi gjithshka, prej gjithë personelit akademik të arsimit të lartë, është rritja e cilësisë së mësimdhënjes dhe përgaditjes së studentëve. Dhe cilësi e rritur nuk është thjesht ajo që evidentohet me kalueshmëri të lartë apo nota të mira, por ajo që çertefikohet nga tregu i punës. Në një ekonomi të zhvilluar, masa e vlerësimit të cilësisë është shumë më pak subjektive nga ajo e ekonomive të pazhvilluara ose në zhvillim, ku futet dhe ekonomia në vendin tonë. Sidoqoftë, përvoja e deritanishme tregon se shkolla e lartë mbetet shumë e anatemuar, aq sa është krijuar përshtypja se të gjitha diplomat merren kot dhe arsimi i lartë duhet t’i shikojë të gjitha defektet tek vetja, pasi as politika dhe as ekonomia, nuk ia kanë më ngenë të merren me të, pse ato e kanë bërë më së miri punën e tyre, duke krijuar një kuadër ligjor “shumë të mirë” e “shumë funksionues” dhe një administratë e ekonomi që i bëjnë zgjedhjet e kontigjenteve, të cilët mbarojnë studimet e larta, vetëm mbi bazë të meritokracisë!?. Atëhere, të dashur drejtues të rinj, shtrëngoni rripat dhe lërini fjalët, ne duam “petullat” dhe nuk na intereson se me çfarë e si do t’i bëni ju. Për t’i paraqitur e analizuar të gjitha problemet, të cilat duhen zgjidhur ende si nga qeveria ashtu edhe nga ekonomia në dobi të rritjes së funksionalitetit të arsimit të lartë e, për rrjedhojë cilësisë së tij, natyrisht duhet një kontribut me pjesmarrje shumë të gjerë edhe me kopetencë por dhe me “dhemkë” të spikatur. Vetë drejtuesit e rinj duhet të shohin akoma më me kujdes se ku u “pikon çatia” dhe të fillojnë “riparimet” sipas prioriteteve. Veçse për universitetet publike problemi fillon pikërisht tek “çatia”. Po si dhe çfarë? Në ligjin e ri për arsimin e lartë thuhet: “Pronat e paluajtshme, në të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre institucionet publike të arsimit të lartë, që i shërbejnë institucionit për të garantuar përmbushjen e misionit të tij, kalojnë në administrim të institucioneve, me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ministrit përgjegjës për arsimin”. Dhe më tej: “Institucionet (pra universitetet publike, shënimi im) mund të zhvillojnë pronat me miratim paraprak të subjektit që i ka kaluar pronën në administrim (pra ministrisë, shënimi im)”. Me siguri, për hartuesit dhe miratuesit e këtij ligji, ky përcaktim i vë pikat mbi –i-. Por…Dhe pas këtij por-i lind natyrshëm pyetja: pse qeveria, e cila edhe pse heq dorë, kryesisht nga financimi i universiteteve publike, duhet të ketë në dorë, tjetërsimin e pronës së tyre që, jashtë çdo dyshimi, është faktori bazë për ecurinë e procesit mësimor në universitetet publike? Këto universitete e dinë mirë këtë, pasi jo vetëm kanë përvojën e duhur por, tashmë ligji i ri, i fut në një konkurencë aspak të ndershme me universitetet jo publike, të cilët duke shfrytëzuar statusin privat, kanë investuar si ‘për veten e tyre’ për të ndërtuar ambiente, që në kushtet e vendit tonë janë “për t’ua patur zili”. Burimet financiare me të cilat ato i kanë ndërtuar e paisur ambientet e tyre kanë qenë legjitime për to (kredi, tarifa studentësh etj), por të palejueshme për universitetet publike. Dhe diferenca është kjo që është. Problemi mbetet tek mënyra se si do tejkalohet kjo diferencë. Me ligjin e ri? Pikërisht në këtë ligj, edhe në këto kushte, përcaktohet që pronësia mbi pronat e palujtshme të universiteteve publike, mbetet edhe më tej tek qeveria, e cila në një ditë të bukur, mund t’jua heqë të drejtën e administrimit universiteteve publike dhe t’ia kalojë ndonjë institucioni tjetër. E shkruar kështu, kjo duket si një hamendësim jo logjik, po të mos ishte një fakt, që lidhet me fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave. Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 744, datë 5.11.2014 urdhëron pikërisht” kalimin, në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, te Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë”. Kanë kaluar rreth 20 muaj nga dalja e këtij vendimi, dhe një fakultet, unik në vendin tonë, qëndron si… pa çati. Edhe pse atëkohë u premtua që do të ndërtohej një godinë model për këtë fakultet dhe, menjëherë ai do vazhdonte normalisht punën në godinën e re, situata nuk është thjesht “në vend numuro” por është përkeqësuar e vazhdon të përkeqësohet përditë. Nuk mund të investohet asgjë, qoftë edhe për të riparuar diçka, pasi “je në pronën e tjetrit” paçka se ligji nuk e ndalon mundësinë “e zhvillimit të pronave me miratim paraprak të institucionit që ia ka kaluar pronën në administrim”?! . Në rastin në fjalë, ka pra mbi 20 muaj, që prona administrohet nga Ministria e Drejtësisë e cila nuk ka kurrfarë detyrimi të japë “miratim paraprak”. Kështu, edhe për disa kondicionerë të blerë për të përballuar të ftohtit e dimrit që kaloi, dilema ishte e madhe.

Po si do vazhdohet më tej?! Në universitetet publike do të duhet të ndërtohen ambiente të reja për kushte qoftë edhe normale të mësimdhënjes. Do të duhen rikonstruktime e shtesa të ambienteve ekzistuese. Do të duhen para për këto dhe drejtuesit do t’i drejtohen qeverisë, pronarit pra. Ajo, edhe në rastin kur do t’i vlerësojë si të arsyeshme këto kërkesa, do preferojë premtimin para veprimit sepse thjesht…nuk ka para. Doni prova për këtë? Ja, fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave. Edhe nqs me “miratimin paraprak” do lejohen zhvillime të pronës me të ardhura nga tarifat e studentëve apo nga bashkëpunimi me të tretët, pronarit, pra qeverisë, i shkrep, si në rastin e cituar, të tjetërsojë administratorin, çfarë do të bëhet me këto investime? A mund t’i besohet thjesht fjalës së dhënë se ato investime nuk do të preken kur ligji lejon tjetërsimin e administratorit? Përse nuk kalohen këto prona në pronësi të universiteteve publike, në mënyrë që edhe ato të investojnë “si për veten e tyre”?. Dikush mund të thotë: Po çfarë kërkon mor ditëzi, kur në gjendjen që janë pasuritë e paluajtshme në administrim të universiteteve publike, po hoqi dorë qeveria nga investimet (pra nga pronësia), ju shpejt mund të ngeleni si peshku pa ujë? Mund të ndodhë dhe kështu por “si duken bathët janë larg Pashkët”, pra nuk e dimë nëse do vijë ajo ditë kur qevria të mendojë jo vetëm si pronare, por edhe me “dhemkë” për t’i ngritur universitetet publike në lartësinë e dinjitetit që ato meritojnë. Kemi mbetur të shohim me zili sivëllezërit tanë më të rinj, që pasuritë e tyrë të palujtshme i zhvillojnë, jo si administratorë por si pronarë dhe startin për tek financimet publike e kanë si “të barabartët mes të… barabartëve”. Shkurt:  Që jemi trajtuar e po trajtohemi si fëmijë të njerkës këtë e dimë dhe po e shohim, po a do vazhdojmë të trajtohemi si fëmijë të rrugës?  Përgjigja?! Dikush duhet ta japë. /Tema/