Kreu i Frontit të Majtë, njëherësh kryetar i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti u shpreh mjaft kritik ndaj klasës politike. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Dajti deklaroi se “nuk ka shpëtim nga reformat e një qeverie hajdute dhe një opozite që mezi pret të vijë në pushtet për të vjedhur. Shpëtimi është vetëm përmbysja totale, me çfarëdo çmimi”.

Pak javë më parë u mbajt në Tiranë, Asambleja Parlamentare e NATO-s, një ngjarje që ndodh për herë të parë në Shqipëri. Si konsiderohet nga partia juaj një ngjarje e tillë?

Është një ngjarje që na përmirëson imazhin si vend mikpritës, por nuk na bën më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Prania e disa deputetëve në kryeqytetin shqiptar nuk ka ndonjë rëndësi në nivelin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Për të kuptuar se sa serioze është një asamble e tillë, mjafton të përmendim faktin se delegacioni shqiptar kryesohej nga Pandi Majko.

Në këtë asamble theksi u vu te rreziku rus, i cili mund të prekë edhe Shqipërinë; ç’mendoni ju për këtë?

Tonet e asamblesë m’u dukën si një rikthim në retorikën e Luftës së Ftohtë. Rusia mund të përbëjë një rrezik për Amerikën, por jo për Shqipërinë. Ne nuk pretendojmë të bëhemi superfuqi, pavarësisht se çfarë ëndrrash mund të shikojnë Majko, Rama apo Kodheli. Të jetë për rrezik, historia ka treguar se rreziqet na kanë ardhur nga fqinjët. Por Italia dhe Greqia janë në NATO, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia pretendojnë të hyjnë në Aleancë. Pse u dashka që armiku të jetë Rusia?!

Nëse ka rrezik, ai na vjen nga vetja, nga drejtuesit e shtetit, që gjithë shpresat për mbrojtje i kanë varur te NATO. Por dihet mirë se NATO nuk ndërhyn nëse konflikti ndodh brenda radhëve të anëtarëve të saj. Pra, nëse një ditë të bukur njërit nga fqinjët tanë me të cilët po bëhemi vëllezër në NATO i shkrepet të lëvizë kufijtë (dhe kjo ndodh edhe ndërmjet vëllezërve, jo më ndërmjet shteteve), ata do të kenë tanke, topa, avionë e luftanije, ndërsa ne do të kemi vetëm shkopinj dhe gurë.

Po si mendoni se duhet të pozicionohet Shqipëria në mes të konfliktit Rusi-NATO? A nuk na rendit miqësia tradicionale në krah të SHBA-ve?

Koncepti i ‘miqësisë tradicionale’ apo ‘armiqësisë tradicionale’ është shumë i vjetër dhe i pakuptimtë në ditët tona. Nuk ka miq dhe armiq të përjetshëm, ka vetëm interesa të përjetshme, të cilat herë të lidhin dhe herë të zgjidhin me shtete të caktuara në momente të caktuara të historisë. Shikoni historinë. Shqipëria ka pasur një marrëdhënie të komplikuar me superfuqitë, si përpara, si gjatë, edhe pas Luftës së Ftohtë.

Rusia vetë në qëndrimin ndaj Shqipërisë paraqet një situatë shumë komplekse, me qëndrime antishqiptare në kohën e Perandorisë Ruse, me qëndrime proshqiptare në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik dhe me një qëndrim të dyzuar në kohën e sotme. Shqiptarët u janë mirënjohës përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ruajtjen e tërësisë territoriale në periudhën pas Luftës së Parë Botërore, kur fqinjët tanë kërkuan copëtimin e territoreve në Veri dhe Jug. Por të mos harrojmë se në vitin 1918, kur u zhvillua Konferenca e Paqes dhe presidenti Uillson mbrojti Shqipërinë në kufijtë e vitit 1913, në Rusi kishte ardhur në pushtet Lenini.

Ishte Moska e para që denoncoi Traktatin e Fshehtë të Londrës, që synonte copëtimin e Shqipërisë. Në Konferencën e Parisit ne njohim kontributin e presidentit Uillson, por duhet të njohim edhe kontributin e Bashkimit Sovjetik si fuqi e rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Roli i Bashkimit Sovjetik ka qenë i rëndësishëm për Shqipërinë sidomos në vitet 1948-1960. Le të mos ua mohojmë rusëve rolin e madh në shkëputjen e Shqipërisë nga ndikimi Jugosllav dhe ndihmën e madhe që i dhanë Shqipërisë, qoftë ekonomikisht, qoftë në nivel akademik, qoftë ushtarake, dhe për njohjen e saj në arenën ndërkombëtare.

Ishte koha kur Uashingtoni nuk pranonte ta njihte as qeverinë dhe as shtetin shqiptar, madje kishte vënë veton edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në OKB. Të mos harrojmë breza të tërë që u arsimuan në ish-Bashkimin Sovjetik dhe që shërbyen për të hedhur bazat e arsimit, sportit dhe shkencës shqiptare. Shumë njerëz janë tallur me Enver Hoxhën, që mblidhte armatim dhe ndërtonte fortifikime. Koncepti për mbrojtjen është i thjeshtë: Ushtria mund të mos të të duhet gjithë jetën, por një ditë të zezë mund të ketë në dorë fatet e atdheut.

Tashmë Ushtria jonë është në ditë të hallit: pa anije lufte, pa avionë, pa tanke. Nëse një ditë të bukur vjen armiku, me çfarë do ta përballojmë?! Dhe armiku mund të mos jetë Rusia. Mund të jetë edhe një vend i NATO-s. Por Rusia e sotme nuk e ka njohur Kosovën… Edhe çështja e Kosovës është komplekse.

Ne duhet të falënderojmë NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara për ndërhyrjen ushtarake që u pasua me Pavarësinë e Kosovës, por nuk mund të fajësojmë Rusinë. Rusia ka interesat e veta, që nuk janë në kundërshtim me Kosovën, por në pajtim me Krimenë. Nuk kam asnjë dyshim që mund të arrihet një marrëveshje ku Rusia të njohë Kosovën si shtet të pavarur, dhe SHBA-të dhe Europa të njohë Krimenë si territor rus. Por Uashingtoni dhe Brukseli nuk e pranojnë këtë zgjidhje. Interesi për të bllokuar Rusinë është më i madh se ai për Kosovën.

Sipas mendimit tuaj, Shqipëria duhet të qëndrojë më pranë Bashkimit Evropian apo SHBA-ve? Si e vlerësoni qëndrimin e qeverisë shqiptare në këto marrëdhënie?

Ne nuk duhet të bëhemi më katolikë se Papa dhe as më euroatlantikë se Amerika. Mund ta ruajmë fare mirë miqësinë me anëtarët e tjerë të Aleancës dhe vendet e Bashkimit Europian, por nuk ka asnjë arsye të marrim flamurin kundër Rusisë dhe të prishemi me Moskën. Injorantët që qeverisin Shqipërinë, mjafton të shohin politikën e Athinës. Greqia është në BE dhe NATO, por pret edhe Putinin dhe i bën thirrje Europës të mos i shtrëngojë lakun Rusisë. Kjo është një politikë e jashtme e kujdesshme dhe që i sjell dobi vendit.

Ndërsa këta prestigjatorët tanë rilindës e shesin atdheun edhe vetëm për një foto me Obamën. Por edhe Obamën janë gati ta shesin po u doli përpara ndonjë tjetër që t’i paguajë. Shkurt puna: As Shqipërisë dhe as Amerikës nuk i hyjnë në punë të tillë servilë hipokritë që të lajnë e të lyejnë me fjalë të bukura, betohen se do të jenë besnikë deri në vdekje të Amerikës, por kur vjen puna, as Amerikës nuk i mbarojnë punë. Kujtoni rastin e asgjësimit të armëve kimike; kur Amerika kishte një hall të madh, Edi Rama premtoi se do t’ua zgjidhte hallin dhe pastaj i la në baltë, duke menduar se do dilte nga vështirësia me një fjalim të bukur.

Një herë në 100 vjet mund të ndodhë që një vend i vogël si Shqipëria të ketë mundësi t’i zgjidhë hallin një vendi të madh si Amerika. Dhe në atë moment qëllon të jetë kryeministër Rama. Çfarë tersi për të dyja vendet! Gjithsesi, siç e thashë më lart, nuk kemi pse të qëndrojmë ngjitur as me Amerikën, as me Bashkimin Europian dhe as me Rusinë apo Kinën. Duhet të mbajmë marrëdhënie korrekte dhe normale me të gjithë. Në vitet ‘60-‘90 ishte Lufta e Ftohtë dhe ishim kundër të gjithëve. Por në këtë mënyrë ruajtëm baraspeshën dhe asnjë nga palët nuk e ngacmoi Shqipërinë. Sot është tjetër kohë. Mund të qëndrojmë sërish mes palëve, duke ruajtur miqësinë me të gjithë.

Pse i gjithë ky debat për reformën në drejtësi dhe, cila mendon se preket më shumë nga kjo reformë, mazhoranca apo opozita?

Ata që do të humbasin, janë ata shqiptarë budallenj që shpëtimin e presin nga reformat e politikanëve. Nuk do vijë ndonjëherë shpëtimi nga kartonët në parlament. I vetmi shpëtim do të vijë kur populli të ngrihet në revolucion popullor, të marrim hunj e sfurqe dhe t’i përzëmë një herë e mirë këta politikanë hajdutë e mashtrues. Jo vetëm nga Kuvendi, jo vetëm nga zyrat e shtetit, jo vetëm nga Tirana, por edhe nga Shqipëria.

A ka njeri që ka një minimum logjike që të besojë se Basha dhe Rama po grinden që t’i japin miletit një drejtësi të vërtetë?! Kush e mendon kështu, ose gënjen veten, ose është budalla. Nuk ka shpëtim nga reformat e një qeverie hajdute dhe një opozite që mezi pret të vijë në pushtet për të vjedhur. Shpëtimi është vetëm përmbysja totale, me çfarëdo çmimi. Lirinë nuk ta dhuron pushteti, as drejtësinë. Po e deshe vërtet lirinë dhe drejtësinë, duhet të ngrihesh e të kapësh për fyti ata që të kanë marrë gjithçka dhe të kanë lënë vetëm lajmet nëpër media që lajmërojnë se nesër, kur të bëhet reforma, të gjithë do shpëtojmë dhe do të vijnë ditë të lumtura për të gjithë.

Fund e krye mashtrim!/ Gazeta Shqiptare