EDMOND TUPJA

Shumë kryeqytete në botë ndahen në dy pjesë nga një lumë, i cili i përshkon ato dhe banorët orientohen, në lëvizjet që bëjnë, edhe duke folur për bregun e majtë ose bregun e djathtë të lumit të tyre. Po Tirana jonë nga çfarë përshkohet? Nga një lumë? Përrua? Rrëke? Vijë uji?

Gjuhët, ndoshta ato të ligat, thonë se, në zanafillë, Lana ka qenë një kanal ujërash të zeza, çka deri vonë e dëshmonte pjesërisht edhe era kutërbuese që ngrihej rreth e rrotull, netëve të nxehta të verës, sidomos kur kishte kohë pa rënë shi. Sigurisht që lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i kësaj rubrike të përjavshme nuk është i detyruar t’i vërë një emër Lanës, ai, si gjithë tiranasit, nuk thotë as lumi i Lanës, as përroi i Lanës dhe aq më pak rrëkeja e Lanës, por thjesht e shkurt Lana.

Mirëpo – dhe në këtë pikë gjërat ndërlikohen deri diku – cila mund të jetë etimologjia, pra prejardhja e emrit Lana? Unë nuk jam etimologjist si Eqrem Çabeji apo Kolec Topalli, por krejt modestisht po guxoj, me shumë drojë, të shkruaj se, sipas meje, emri “Lanë” vjen nga folja “laj” në mënyrën urdhërore, pra “Laj!” Por kë të lajë lumi, përroi apo rrëkeja e Lanës? Si kë të lajë? Ta pret mendja ata dhe ato që janë bërë pis, më pis se të tjerët, dhe që ndodhen shpesh më afër asaj!

Po cilët qenkan këta e këto? Ata e ato që i luten, i përgjërohen ditë e natë fshehurazi Lanës duke i thënë: Lana, lana me ujërat e tua qofshin të kulluara, qofshin të turbulluara! Lana, lana nga këllirat e politikës! Lana, lana nga zhuli i prapaskenave, nga zamka e intrigave, nga zgjyra e kompromiseve, nga llumi i llokoçitjeve plot epsh për pushtet! Si, ende nuk e morët vesh për kë e kam fjalën? E pabesueshme! E pafalshme! Mos vallë bëni sikur nuk e dini? Mos vallë e dini dhe keni frikë ta thoni? Mos vallë edhe ju jeni bërë pis si ata dhe ato?

Oh, në fund të fundit, pak rëndësi ka nëse ne, të gjithë e të gjitha, kemi kohë që nuk jemi aq të pastër sa pandehim apo sa shtiremi! Në qoftë kështu, po ju ndihmoj ta gjeni se cilët janë ata dhe cilat janë ato që Lanës i duhet urgjentisht t’i fërkojë e t’i kruajë, t’i lajë e t’i shpëlajë, me ose pa ndihmën e ndërkombëtarëve dhe të detergjentëve të tyre.

E kam fjalën, siç sapo e përmenda, për ata dhe ato që shpesh mblidhen fare pranë Lanës për të marrë vendime për të keqmirën apo për të mirëkeqen e Shqipërisë sonë tmerrësisht demokratike, për ata e ato që përcaktuan kahun, ngjyrën dhe përbërjen e qeverisë që gëzojmë prej disa vitesh dhe që, me gjasë, mund të gëzojmë edhe nesër, madje, ku i dihet, edhe përjetë- sisht.

E morët vesh tani? Pra, e kam fjalën për deputetët dhe deputetet që kemi zgjedhur jo vetëm duke votuar si të trullosur apo si të hipnotizuar, por mjerisht, për turpintonë, edhe duke shitur votat, lirinë e nderin si qytetarë në dukje të lirë. Madje, disa prej këtyre deputetëve, pas fërkimit me tel, me rërë e me hi, pas larjes me sodë e sapun, pas shpëlarjes me ujë të bollshëm, shumë të bollshëm, Lana do të bënte mirë t’i merrte me vete e t’i çonte deri në det që kripa e Adriatikut t’i dezinfektonte duke i përcëlluar mbarë e prapë, përjashta e përbrenda, në mënyrë që ata t’i vënë gishtin kokës dhe jo by…rekut kur të marrin vendime të rëndësishme jo aq për fatet e Lanës, sesa për fatet e të shkretit, të mjerit, të gjorit e të varfrit popull shqiptar me të cilin shumica e politikanëve tanë, me sa duket, po tallin artistikisht ko…koshkat e tyre të squllura!

Siç e nënvizova në krye të këtij shkrimi, shumë kryeqytete të botës kanë nga një lumë që u bie përmes dhe për mirëmbajtjen e të cilit bashkitë përkatëse harxhojnë shuma të konsiderueshme.

Unë kam nderin t’i kërkoj me këmbëngulje, besim, respekt e dashuri zotit kryetar të Bashkisë së kryeqytetit tonë elegant që të parashikojë një fond të rëndësishëm për pastrimin e thellimin e shtratit të Lanës, por sidomos, posaçërisht e në veçanti për ndërtimin e një ure të re mbi Lanë, me emrin Ura e Deputetëve, nga e cila baballarët e kombit do të hidhen krejt lakuriq, të paktën një herë në vit, mundë- sisht në ditën më të ftohtë të tij, në ujërat ngrohtësisht mikpritëse të Lanës sonë heroike për të larë mëkatet e tyre sa të pashmangshme, aq të pashoqe në prani të popullit adhurues e brohoritës të Tiranës dhe, pse jo, të mbarë Shqipërisë sonë tmerrësisht demokratike.  /Panorama/