Komedia “Martesa” do të shfaqet mbrëmjen e kësaj të premteje në skenën e Amfiteatrit të Durrësit.

Kjo komedi është përmbledhja e katër pjesëve me një akt të dramaturgut rus, Anton Cehov; “Martesa”, “Tragjik pa dashje”, “Ariu”, “Propozimi”, përshtatur nga regjisorja durrsake, Driada Dervishi.

Dervishi shprehet se vënia në skenë e veprës së dramaturgut rus, pas një shkëputjeje disa mujore për shkak të pandemisë, ishte menduar që vitin që lamë pas, në 160 vjetorin e lindjes së Anton Çehov.

“Ka bërë revolucion në teatër. Nëse kemi një teatër modern sot, të gjitha nisin pikërisht nga ky autor.”, shprehet regjisorja.

Sipas Dervishit, qyteti bregdetar disponon hapësira të shumta për të zhvilluar teatër në ambient të hapur duke qenë se virusi i rrezikshëm është ende i pranishëm në jetën tonë, ndaj në bashkëpunim me drejtorin e pallatit të kulturës, Elio Bajramaj kanë organizuar një kalendar të mirëfilltë që ky sezon të mos jetë vetëm turistik por edhe kulturor e artistik.

“Kjo ka vështirësitë e saj”, shprehet regjisorja ndërsa shton se pavarësisht kësaj, dëshira e madhe për t’u rikthyer në skenë, i minimizon ato vështirësi, duke patur parasysh qëllimin e rëndësishëm.

Për aktorin e njohur, Gentian Zenelaj rikthimi në teatër nuk është aspak i vështirë, por nga ana tjetër i bukur pafund.

“Ne jemi në fazën ku qëllimi justifikon mjetin”, thotë ai, ndërsa shton se për të, nuk ka rëndësi vendi ku ringrihet skena. Sipas Gentit, gjatë muajve që lam pas, mund të ishin getur forma të tjera për të bërë sado pak teatër duke repsektuar rregullat anticovid.

“Pati një heshtje totale dhe kjo ishte tragjike. Teatri nuk do të vdesë nga kjo edhe sikur të kalonim 10 vjet në këtë formë.”, thotë Zenelaj, i cili rikthimin në skenë me komedinë “Martesa” në amfiteatrin e qytetit bregdetar pas shkëputjes së gjatë, e konsideron një ogur të mirë për teatrin shqiptar.

Kurse për aktoren Suela Bako janë më shumë se dy vite shkëputje nga teatri duke qenë se shfaqjen e saj të fundit e ka dhënë në shkurtin e vitit 2019.

“Jam realisht shumë e lumtur që më në fund ne po kthehemi. Jam e lumtur dhe për faktin që teatri “Aleksandër Moisiu” e çel siparin dhe kjo është edhe një përgjëgjësi e madhe por njëkohësisht dhe një nevojë për ta çuar përpara misionin tonë dhe për të marrë dorazi të gjithë teatrot e tjerë.”, shprehet Bako.

Premiera e komedisë do të zhvillohet këtë të premte në orën 20.00, ndërsa datat e tjera do të jenë në varësi të kushteve atmosferike, duke qenë se moti këtë fundjavë nuk premton shumë.

Në role:

Ivan Vasiljeviç Llomov • Amos Muji Zaharia

Natalia Stepanovna • Adelina Muça

Ivan Ivanoviç Tolkaçov • Gentian Zenelaj

Grigor Stepanoviç Smirnov • Xhejni Fama

Elena Ivanovna Popova • Mimoza Marjanaku

Ana Martinovna • Suela Bako

Sofia Karlovna Gavrilova • Andia Xhunga

Stefan Stepanoviç Çubukov • Gjergj Doçi

Dashenjka • Alesia Xhemalaj

Epaminond Maksimoviç Apllombov • Jaho Guma