Artisti shqiptar Alfred Mirashi-Milot, që prej dekadash e ka kthyer artin në një mision dialogu dhe bashkimi, duke e ngarkuar simbolin e çelësit me një kuptim që tejkalon funksionin e tij praktik, pushton së fundmi Akademinë e Arteve të Bukura të Leçes.

“Key of Lecce” (Çelësi i Leçes), vepra monumentale e realizuar në çelik korten, u inaugurua të mërkurën më 10 qershor në ambientet e Akademisë së Leçes në Itali, një ngjarje artistike ku morën pjesë profesorë, studentë, kritikë arti dhe personalitete të kulturës nga rajone të ndryshme të Italisë. Një ceremoni ku u celebrua jo vetëm një skulpturë e re, por edhe një ide: që e shikon artin si mundësi takimi, si një gjuhë universale që tejkalon dallimet dhe ndërton ura mirëkuptimi.

Por çfarë simbolizon “Çelësi i Leçes”? Në një komunikim me “DurrësLajm“, Alfred Mirashi na tregon më shumë rreth veprës së tij që nuk synon vetëm të pushtojë hapësirën me praninë e saj fizike, por të mbjellë një reflektim të vazhdueshëm mbi domethënien e hapjes dhe bashkëjetesës.

“Për mua, “Key of Lecce” ku kurator është Massimo Guastella, është simboli i hapjes, i dijes dhe i dialogut mes kulturave. Çelësi nuk hap një derë fizike, por portat e mendimit, të krijimtarisë dhe të komunikimit njerëzor.

I vendosur në Akademinë e Arteve të Bukura të Leçes, ai i kushtohet veçanërisht studentëve, të cilët mbajnë në duar çelësat e së ardhmes. Vepra përfaqëson takimin mes traditës dhe inovacionit, mes kujtesës historike të Leçes dhe energjisë krijuese të brezave të rinj.

Për artistin, “Key of Lecce” (Çelësi i Leçes) është një mesazh universal: arti është çelësi që hap rrugën drejt lirisë, njohjes dhe mirëkuptimit mes njerëzve.

Për të gjithë adhuruesit e artit e skulpturës në veçanti, pas inaugurimit “Key of Lecce” do të qëndrojë përgjithmonë në oborrin e Akademisë së Arteve të Bukura të Leçes, si pjesë e koleksionit të përhershëm të institucionit.

Vepra është komisionuar nga Bordi Drejtues i Akademisë dhe është konceptuar që në fillim si një krijim i destinuar për këtë hapësirë. Prania e saj e përhershme i jep skulpturës një vlerë të veçantë simbolike dhe institucionale, duke e shndërruar në një pikë referimi për studentët, pedagogët dhe vizitorët e Akademise. Kjo vendosje e përhershme përfaqëson dialogun e vazhdueshëm midis artit, edukimit dhe qytetit të Leçes, një lidhje që do të vazhdojë të jetojë përmes veprës në vitet që do të vijnë.

Angazhimet e artistit shqiptar vijojnë mes Europës, Amerikës Latine dhe Azisë. Nga Bienalja e Venecias drejt e në eskpozitën në Kinë!

Për Alfredin, çdo vepër e re është një udhëtim i ri. Më shumë se sa objekte, ai përpiqet të krijojë simbole që komunikojnë me njerëzit dhe me hapësirat ku vendosen.

“Pikërisht në këtë drejtim po zhvillohen edhe projektet e mia të ardhshme, mes Europës, Amerikës Latine dhe Azisë.

Pas realizimit dhe vendosjes së përhershme të “Key of Lecce” në Akademinë e Arteve të Bukura të Leçes, angazhimet e mia artistike vazhdojnë në disa projekte të rëndësishme ndërkombëtare.

Aktualisht jam i ftuar të marr pjesë në Bienalen e Venecias, një nga ngjarjet më prestigjioze të artit bashkëkohor në botë. Gjithashtu, me ftesë të Massimo Scaringella, do të jem pjesë e Bienales së Curitiba-s në Brazil, një platformë e rëndësishme për dialogun artistik ndërkombëtar.

Brenda pak ditësh do të udhëtoj drejt Shenzhen-it, në Kinë, ku do të hap një ekspozitë në Muzeun e Artit Modern, në bashkëpunim me artistin kinez Yan Laichao. Ky projekt përfaqëson një takim mes dy kulturave dhe dy përvojave artistike të ndryshme, të bashkuara nga kërkimi i një gjuhe universale përmes artit“, shprehet Alfred Mirashi për “DurrësLajm”.