Arena e amfiteatrit të Durrësit pritet të rigjallërohet këtë fundjavë. Përveç aktorëve të trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu”, të cilët për hir të së vërtetës kanë qenë vizitorët e përditshëm të tij, pasi po realizojnë provat për komedinë “Martesa” të Anton Çehov, që si gjithnjë vjen nën regjinë e regjisores së talentuar durrsake Driada Dervishi.
Pas një tulatje të jetës teatrore, për shkak të pandemisë Covid-19, trupa e aktorëve sjell në ambient të hapur një komedi, e cila 4 vite më parë u prit mjaft mirë nga publiku dhe kritika, pasi në festivalin KoKo Fest 2016 u nderua me tre çmime të rëndësishme; Regjia më e mirë, Aktorja më e mirë joprotagoniste dhe Çmimi i publikut.
Arena e amfiteatrit, aty ku mjëra vite më parë luftonin gladiatorët, këtë herë do të shërbejë si mikpritëse jo vetëm e dekorit të shfaqjes, por edhe artdashësve, disa prej të cilëve, me këtë shfaqje në ambient të hapur mund të rikthejnë në memorie nostalgjinë e dikurshme, kur shfaqjet artistike i ndiqnin nga kinoteatri veror në Kodër Vilë.
Ndryshe nga shfaqjet në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, këtë herë dihet me siguri vetëm premiera e komedisë, ditën e premte, në orën 20.00, ndërsa datat e tjera do të jenë në varësi të kushteve atmosferike, që këtë fundjavë nuk premtojnë shumë.
Në rolet kryesore janë aktorë të mirënjohur si Gentian Zenelaj apo Suela Bako, ndërkohë që trupa e aktorëve të Durrësit është thuajse e plotë në këtë shfaqje të parë në kohën e pandemisë.
Në role:
Ivan Vasiljeviç Llomov • Amos Muji Zaharia
Natalia Stepanovna • Adelina Muça
Ivan Ivanoviç Tolkaçov • Gentian Zenelaj
Grigor Stepanoviç Smirnov • Xhejni Fama
Elena Ivanovna Popova • Mimoza Marjanaku
Ana Martinovna • Suela Bako
Sofia Karlovna Gavrilova • Andia Xhunga
Stefan Stepanoviç Çubukov • Gjergj Doçi
Dashenjka • Alesia Xhemalaj
Epaminond Maksimoviç Apllombov • Jaho Guma