NGA DAVID PETRAEUS*, MICHAEL O’HANLON**
Së pari, sepse gjatë këtyre viteve SHBA, kanë pasur zhvillim ekonomik të kënaqshëm. Tregues i kësaj është ulja e papunësisë dhe shtimi i prodhimit e transportit në të gjitha fushat. Ndërkohë që deficiti buxhetor është përgjysmimi i krizës së fundit ekonomike të 2008-ës, çmimi i naftës pësoi ulje të ndjeshme dhe shumica e qytetarëve kanë shlyer borxhet dhe e perceptojnë pozitivisht të ardhmen e ekonomisë së vendit. Gjithsesi, ka plot qytetarë në SHBA e vende të tjera që mendojnë se Amerika është në dobësim e sipër.
Kjo ndjenjë pesimiste shfaqet dukshëm tek aleatët historikë të SHBA në Evropë, të cilët po karakterizohen nga një paqëndrueshmëri ekonomike, probleme demografike dhe zvogëlim të peshës së dikurshme në ekonominë botërore. Por ky opinion nuk ka bazë reale për sa u përket SHBA dhe Amerikës Veriore. Në fakt, ecuria e ekonomisë së SHBA në këto vite paralajmëron një situatë më të mirë dhe në 20-30 vitet e ardhshme, por dhe parashikim afatgjatë në shekullin e ri. Sot dhe më pas, SHBA së bashku me Kanadanë dhe Meksikën, kanë kapacitete e duhura që të konkurrojnë në tregun botëror në fushën gjeopolitike, në numrin e popullsisë, pasuritë e hidrokarbureve dhe burimet e tjera natyrore, në prodhimin industrial, dhe mbi të gjitha, rinovimin e teknologjisë dhe inovacionin. Bazuar në këto të dhëna statistikore të pamohueshme, nëse shekulli i XX-të u cilësua shekulli Amerikan, dhe shekulli i XXI-të, që po jetojmë, do jetë po amerikan, sepse SHBA i ka të gjithë treguesit makroekomikë dhe potencialet ushtarake për ta ruajtur këtë supremaci.
Aktualisht hiperfuqia e SHBA me NASA-n dhe shtatë Flotat në botë është në gjendje të kontrollojë planetin Tokë dhe sistemin planetar më mirë se kushdo fuqi tjetër në botë. Kujtojmë se në çdo fatkeqësi natyrore të ndodhur në planet, p.sh..rastet e fundit në Azi-Paqësor, vetëm SHBA ka pasur kapacitete operacionale për të menaxhuar krizën. Këto parashikime gazeta “Washington Post” i ka pasqyruar para dy vjetësh, dhe treguesit e favorshëm e të shpejtë të ekonomisë amerikane e kanë përforcuar këtë opinion. Është kuptimplotë fakti që SHBA janë prodhuesi numër një i naftës dhe gazit natyror në botë, dhe bashkë me Kanadanë dhe Meksikën, aktualisht kanë rol parësor në fushën e energjisë. Kompanitë e fuqishme industriale amerikane me gjithë tkurrjen e përkohshme kanë mundësuar punësimin e qindra mijëra njerëzve , ndërkohë dhe fqinji jugor Meksika me shtetet e tjera aleatë në Azi-Paqësor, janë të afta të konkurrojnë plotësisht Kinën në fushën e prodhimit industrial. Tashmë SHBA janë vendi numër një dhe në fushën e teknologjisë moderne, p.sh. në aeronautikë dhe farmaci.
Gjatë këtij viti u shënua rritje në 3 për qind e prodhimit të përgjithshëm bruto të SHBA, dhe qartësisht për herë të parë në këto 9 vite, kurba e ekonomisë së SHBA, bashkë me dollarin në mënyrë absolute u rrit më shpejt se ajo e Kinës. Vërtet Kina ka bërë përparim të jashtëzakonshëm, i cilësuar historik madje, duke befasuar botën, por pika kulmore, mbërritja e saj në kufijtë e një superfuqie nuk është e sigurt. Duke mënjanuar faktin se sistemi politik i saj le shumë për të dëshiruar për sa u përket lirive ekonomike dhe të njerëzve, tipare këto thelbësore të një shteti demokratik, Kina duhet të kalojë fazën kalimtare të ekonomisë së tregut në drejtim të pagesës së fuqisë punëtore, pagë-produkt, që është më e ulëta në botë. Por shteti i mbipopulluar i Kinës duhet të zgjidhë dhe disa probleme të mprehta e kryesore për ekzistencën e vet si, shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen e ambientit, uljen e nivelit të korrupsionit, përmirësimin e sistemit prodhues (veçanërisht në ndërmarrjet shtetërore), pakësimin e borxhit të brendshëm, i cili është më i madhi në botë dhe ka kaluar çdo limit.
Specialistët financiarë këshillojnë bazimin e këtij borxhi në prodhimin e përgjithshëm bruto, ndërkohë që Kina duhet të përballet me shumë probleme gjeopolitike rajonale me fqinjët e saj aziatikë. Ka dhe një këndvështrim të profesorit të Institutit “Brookings” David Dollar, i cili sqaron me argumente faktin se, në qoftë se Kina në një dekadë tejkalon SHBA-të në prodhimin e përgjithshëm bruto brenda 20 viteve, SHBA-të, mund t’ia marrin përsëri këtë titull brenda shekullit, nëse modeli i shtetit kinez vazhdon të mbetet autoritar. Së fundmi, statistikat flasin qartë se SHBA, më shumë se çdo vend tjetër i planetit, kanë burimet e pasuritë e nevojshme për të përballuar nevojat e tyre dhe për të zgjidhur çdo problem apo krizë në planet bashkë me aleatët e saj. Prandaj dhe ky Njëqindvjeçar i Ri, ndryshe shekulli XXI, do të quhet shekulli amerikan, pra, SHBA, e sigurt do jetë lideri i këtij planeti.
* Dejvid Hauell Pitreirës (David Howell Petraeus, lindur më 1952) është ushtarak dhe zyrtar publik amerikan. Drejtor i CIA-s (6 shtator 2011-9 nëntor 2012). Para se të vinte në krye të CIA-s, ishte një gjeneral me katër yje i dekoruar shumë herë, duke shërbyer mbi 37 vjet në ushtrinë amerikane.
** Majkëll Eduard Ërlhenlën (Michael Edward O'Hanlon, lindur më 1961) është shkencëtar në Institutin Brookings, i specializuar në çështjet e mbrojtjes dhe të politikës së jashtme. Ai e filloi karrierën e tij si analist buxheti në fushën e mbrojtjes.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Marrë nga “Washington Post”, 10 shkurt 2015, përktheu Shefqet Kërcelli/





