DURRËS, 20 janar 2015 –  Teuta po punon me intensitet në të gjitha drejtimet, me qëllim që skuadra të jetë gati më 24 janar për t’u përballur me Flamurtarin në Vlorë. Në kampin durrsak mbizotëron një atmosferë optimiste, ndërsa lojtarët janë të bindur se skuadra e tyre do të surprizojë gjatë pjesës së mbetur të kampionatit. Kapiteni i Teutës Bledian Rizvani theksoi se Teuta do të shfaqë tjetër fytyrë gjatë dy fazave të mbeturave të kampionatit, duke i rregulluar pozitat në klasifikim.

“Në skuadër mbizotëron një atmosferë optimiste, ku të gjithë kemi besim se do të kemi një ecuri shumë të mirë përgjatë pjesës së mbetur të sezonit. Ne po punojmë intensivisht në të gjitha drejtimet, me qëllim që të jemi gati për ndeshjen e parë në Vlorë. Skuadra ka ndryshuar shumë dhe për mirë me afrimet e janarit, kjo e shton edhe më tepër optimizmin te të gjithë. Sikurse e patë në përballjen miqësore me Tiranën e Besën ku skuadra funksionoi shumë mirë. Unë mendoj se jemi përmirësuar ndjeshëm dhe kemi bërë progres në të gjitha repartet, sidomos me përforcimet e fundit”, deklaroi durrsaku. Duke vijuar më tej, Rizvani u ndal te përballja e radhës zyrtare, të cilën “djemtë e detit” do ta zhvillojnë në Vlorë. Portieri i Teutës ka besim se skuadra e tij do të kthehet me rezultat pozitiv nga kjo transfertë. “Vëmendja jonë është përqendruar totalisht te përballja me Flamurtarin. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por kemi besim se do të zhvillojmë një lojë të mirë dhe do të kthehemi me rezultat pozitiv nga Vlora. Flamurtari është një skuadër që meriton respekt maksimal, por nuk i trembemi kurrsesi. Skuadra po punon intensivisht në drejtim të përgatitjeve për këtë përballje dhe kemi besim se do t’ia dalim. Fatmirësisht, i gjithë kontingjenti është në dispozicion dhe po presim me padurim për të zbritur në fushë”, përfundoi kapiteni i Teutës.