05 janar 2015 –  Me rastin e festave të fundvitit, kompania “Kappa Oil”, një lider në tregun shqiptar ka shpërndarë dhurata për fëmijët e jetimores në Shkodër. Vogëlushët ishin të grupmoshës 6-14 vjeç dhe sigurisht që dhurata me vlerë si kompjutera, materiale shkollore dhe veshmbathje, padyshim do të ndikojnë në edukimin e 42 fëmijëve që ka Shtëpia e Fëmijës.

“Realisht kërkesa që ne i bëmë ishte goxha e madhe, aq sa nuk e mendova se nuk do të realizohet. Kanë sjellë përveç veshjeve, edhe televizor, dhe kompjutera të kompletuara me të gjitha pajisjet, gjë e cila përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës së fëmijëve”, konfirmuan me mirënjohje drejtues të Shtëpisë së Fëmijës.
Vërtet që për kompaninë "Kappa Oil", fëmijët do të përbëjnë gjithnjë prioritet dhe do të jenë epiqendra e vëmendjes.

 Drejtori i shitjeve në këtë kompani, z. Ayhan Nis shprehet për “Dyrrah”-un se :
“Kompania jonë ka në fokus të saj vazhdimisht fëmijët dhe shtresat në nevojë. E kështu më së miri, në raste festash gjejmë rastin t’u gjendemi pranë dhe t’u dhurojmë ngrohtësi njerëzore dhe buzëqeshje, përveç se pakove materiale, atyre që kanë më shumë nevojë për to. Si kompani e konsoliduar ndiejmë obligimin moral që t’u qëndrojmë pranë dhe t’i ofrojmë ndihmën tonë kësaj shtrese sociale. Kjo nuk është thjesht bujari, por kryesisht një dëshirë e madhe për të qenë prezent pranë atyre që kanë mungesa reale, shpirtërore dhe materiale. Vërtet që morëm shumë më tepër kënaqësi, se sa dhamë përmes gjestit tonë”.

Të tilla nisma janë gjithnjë pozitive dhe i shërbejnë sensibilizimit dhe solidaritetit të shoqërisë. Sepse s'ekziston ndjesi më e bukur, se sa të kënaqësh një fëmijë !

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/