05 janar 2015 – Pas disa ditëve pushim për festat e fundvitit skuadra e Teutës do t'u rikthehet ambjenteve sportive për të nisur nga përgatitjet për pjesën e mbetur të sezonit. Nën drejtimin e teknikut Begeja dhe stafit teknik, "djemtë e detit" duke nisur nga sot do të ushtrohen sistematikisht. Pritet që durrsakët, pasi të kenë zhvilluar disa ditë përgatitje në ambjentet e tyre sportive, të udhëtojnë drejt Antalias për të kryer fazën përgatitore.
Ndërkaq, Teuta e ka filluar merkaton me afrimet, por edhe ka larguar disa lojtarë. Besnik Krasniqi dhe mesfushori Xhevdet Shabani nuk do të jenë pjesë e skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit. Krasniqi e Shabani u pritën si lojtarë që mund të mernin për dore skuadrën, por për shkak edhe të dëmtimeve që pësuan gjatë fillimit të sezonit, në vazhdim nuk kryen ndonjë performancë të admirueshme. Tashmë tek Teuta janë afruar tre lojtarë që kanë qenë dikur pjesë e skuadrës durrsake që janë Shaqir Stafa, mesfushori Bekim Kuli dhe mbrojtësi Julian Brahja. Përforcimet janë konfirmuar nga presidenti Hasanbelliu i cili shtoi se merkato do të vijojë duke u afruar preforcime të tjera në skuadër, ndërsa sot pritet t'i bashkohet skuadrës së Teutës për një prove shqiptari që luan për Olimpiakosin e Pireut në Greqi, Rama.
Drejtuesit e Teutës kanë menduar të ndryshojnë disa elementë në skuadër me qëllim që ekipi të ketë një ecuri pozitive gjatë pjesës së mbetur të sezonit. Në një kohë që ndodhemi në fillim të merkatos dimërore në radhët e skuadrës ka patur ndryshime të shumta. Deri më tani janë afruar tre lojtarë: Kuli, Brahja dhe Shaqir Stafa, ndërsa janë larguar Bardulla, Krasniqi dhe Xhavdet Shabani. Presidenti Hasanbelliu paralajmëron afrime të tjera, ndërsa lë të hapur mundësinë e seleksionimeve.





