DURRËS, 30 dhjetor 2014 – Viti i Ri 2015 i ka izoluar me ngricë banorët e fshatrave të thella të Krujës.
Gati të gjithë fshatrat e Malësisë së Krujës janë bllokuar nga dëbora e rënë dy ditët e fundit, e cila arrin deri në 30 cm trashësi. Të bllokuar kanë mbetur fshatrat Mafsheq, Shkretw, Shkjezë, Çudhi, Rranzë etj. Trashësia e dëborës në këto fshatra, sipas drejtuesve të komunës Çudhi, ka arritur në 20 cm, madje në fshatin Shkretë trashësia e saj ka arritur në 30 cm, raporton e përditshmja “Shekulli”.
Rruga Krujë-Qafështamë mund të kalohet vetëm me zinxhirë për shkak të ngricave në rrugë. Banorët janë gjendur të papërgatitur pasi askush nuk e mendonte këtë rëndim të situatës.
Drejtuesit e komunës së Çudhisë deklarojnë se po bëjnë të pamundurën për normalizimin e situatës ndërsa shtojnë se për rrugën Krujë-Qafështamë që i përket qarkut të Durrësit nuk është marrë asnjë masë, shkruan gazeta e deputetit socialist Koço Kokëdhima.
Po ashtu duhet theksuar se fshatrat Mafsheq, Shkjezë, Nuaj dhe Shkretë janë pa energji elektrike prej 34 orësh për arsye të dëmtimit të linjave elektrike nga ngricat dhe erërat e forta.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





