Flaka olimpike u ndez dhe për një javë ajo do të shoqërojë aktivitetet sportive që do të zhvillohen në shkollën e mesme “Benardina Qerraxhia” në Durrës.
Java olimpike nisi këtë të mërkurë me një atmosferë festive në shkollën e vetme sportive të qytetit, e cili rinisi zhvillimin e procesit mësimor në ambiente të rindërtuara nga e para këtë vit shkollor.
Për një javë me radhë nxënësit e kësaj shkolle kanë planifikuara të zhvillojnë aktivitete të ndryshme sportive në të gjitha disiplinat si në volejboll, basketboll, futboll dhe atletikë.
Motoja e kësaj “Jave Olimpike” është “Nderojmë traditën, sfidojmë të ardhmen”,- thotë drejtoresha e këtij institucioni arsimor Erida Zorba për “DurrësLajm”.

Si një nga ish-nxënëset e kësaj shkolle dhe një nga atletet më të mira të vendit tonë, Luiza Gega ishte e pranishme në ceremoni. Mes emocioneve dhe krenare për arritjet e këtyre të rinjve të përkushtuar ndaj sportit, ajo e vuri theksin tek rëndësia e aktivitetit sportiv.
Gjatë ceremonisë së organizuar në ambientet e shkollës, një moment i veçantë ishte akordimi i certifikatave të mirënjohjes prefektit të qarkut, Ardian Gurra dhe drejtuesve lokalë të arsimit për ndihmën e vazhdueshme dhe mbështetjen që i kanë dhënë ndër vite këtij institucioni arsimor që përgatit jo vetëm talentet e sportit durrsak, por edhe atij kombëtar.
M.B.





