• 0800 75 75, lançohet numri jeshil falas për konsumatorët për denoncimin e parregullsive
• Aksionet kanë filluar qysh më 20 dhjetor dhe përfundojnë më 31 dhjetor 2014, pak orë para ndërrimit të viteve
• Po bashkëpunohet me institucionin e Prefektit të qarkut, Policinë e Shtetit, policinë bashkiake, shërbimin veterinar në bashki dhe drejtorinë rajonale të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Institutin e Shëndetit Publik.
DURRËS, 29 dhjetor 2014 – Inspektorët e drejtorisë rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) Durrës në bazë dhe të një plani masash, kanë ndërmarrë ditët e fundit një aksion të gjerë në tregjet ushqimore dhe disa supermarkete me synim monitorimin dhe garantimin e cilësisë ushqimore në prag të festës së vitit të ri.
Drejtori rajonal Altin Murto i tha “Dyrrah”-ut se vetëm më 28 dhjetor 2014 u kontrolluan 10 supermarkete në qytetin e Durrësit. Këto kontrolle kishin për qëllim edhe ndërgjegjësimin e opinionit publik për të njoftuar këtë ent për çdo problem që cenon sigurinë ushqimore. Murto tha se janë tre grupe në gatishmëri. Për inspektimet po bashkëpunohet me institucionin e Prefektit të qarkut, Policinë e Shtetit, policinë bashkiake, shërbimin veterinar në bashki dhe drejtorinë rajonale të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Institutin e Shëndetit Publik.
Një nga aksionet (të cilat kanë filluar qysh më 20 dhjetor dhe përfundojnë më 31 dhjetor 2014, pak orë para ndërrimit të viteve) në 10 supermarkete të qytetit, u ndoq nga afër edhe nga drejtori i përgjithshëm i AKU-së Afrim Bakaj. Në një prononcim për mediet Bakaj ka garantuar qytetarët se institucioni që ai drejton është i vendosur për garantimin e cilësisë ushqimore në çdo pikë, ku ato tregtohen. Afrim Bakaj u bëri apel qytetarëve, që nëpërmjet një numri telefoni jeshil (0800 75 75), të denoncojnë çdo veprim apo akt që cenon sigurinë ushqimore në treg.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





