24 dhjetor 2014 – Njëra prej skuadrave më të pasura në botën e futbollit, Manchester City, në seancën e fundit stërvitore para ndeshjeve të ardhshme kampionale dhe orarit shumë të ngjeshur që do ta ketë në prag të festave të fundvitit dhe në ditët e para të vitit të ri 2015, skuadrës së parë të Manuel Pellegrinit, i është shtuar edhe shqiptari Bersant Celina. Reprezentuesi i ri kosovar i cili është pjesë e klubit anglez të gjeneratave më të reja, për herë të parë është ftuar në stërvitje nga strategu kilian, që padyshim përbën lajm të madh për gjithë shqiptarët.
18 vjeçari i lindur në Prizren, ishte transferuar si 15-vjeçar nga skuadra norvegjeze Stromgodset, e cila edicionin e kaluar edhe ishte shpall kampion i këtij shteti, derisa talentin e Bersantit e vlerësuan lartë skautët e Man Cityt, që e transferuan në Angli. Man City do t’i zhvilloje katër ndeshje brenda pak ditëve, dhe sipas burimeve që kemi, nuk përjashtohet mundësia që në njërën nga ndeshjet e ardhshme të kampionit aktual anglez, ta shohim Bersantin në mesin e futbollistëve të ftuar nga Manuel Pellegrini.





