7 dhjetor 2014 –  Luan Subashi, 39 vjeç është emigrant tipik shqiptar, i ndershëm, punëtor me dokumenta të rregullta, familjar i mirë, që nuk shkel ligjet e shtetit mikpritës italian. Fatkeqësisht telashet nuk kanë të sosur për Luanin, që duhet të luftojë si luan për të përballuar jetesën në Itali. 

Në vitin 2011, ai pësoi një aksident në punë në magazinën, ku punonte. Firma e nxorri në asistencë pas daljes nga spitali. Paratë që i takojnë nga asistenca nuk i mbërrijnë rregullisht dhe kështu telashet s’kanë të sosur për familjen Subashi. Atyre  u duhet të paguajnë ujin, dritat, gazin, taksat komunale dhe nuk ngelen më para për të paguar qiranë prej 381 eurosh në muaj. 

Tashmë, në familjen Subashi, që të enjten 4 dhjetor ka mbërritur lajmërimi zyrtar, që duhet të dalë nga shtëpia për mospagim qiraje. Luani i është drejtuar për ndihmë Prefektit , Kryetarit të Bashkisë së Kornudës (Cornuda) në Provincën e Trevizos. Fatkeqësisht për Luanin, të shoqen dhe të birin 4 vjecar alternativë e vetme mbetet përballimi i dimrit pa pasur një çati mbi kokë. 

Avokati i familjes Subashi dhe OJF-të, që mbrojnë të drejtat e qiramarrësve kanë dalë në mbështetje të familjes Subashi. Ata këmbëngulin se Luani sa herë ka pasur para e ka paguar qiranë, se është me dokumenta të rregullta në Itali dhe paguan taksat dhe faturat e ujit, dritave dhe të gazit rregullisht. 

Ata kërkojnë ndërhyrjen e oragneve të pushtetit lokal, që familja Subashi të mos i festojë Krishtlindjet nën qiellin e hapur.