Një rast i rrezikshëm për sigurinë rrugore është parandaluar në kohë nga Policia, pas një denoncimi të ardhur nga një qytetar në sallën operative të Cërrikut.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur sot, më 5 maj 2026, kur një qytetar ka sinjalizuar se shtetasi Sazan Gjolena, drejtues i një mjeti tip “Benz Sprinter” me targa AA198FR, i angazhuar në transportin e pasagjerëve dhe nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Belsh, po drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, strukturat e Policisë kanë reaguar duke organizuar ndërhyrjen në bashkëpunim me patrullën e Postës së Policisë Belsh, në varësi të Komisariatit të Cërrikut. Si rezultat, është bërë i mundur lokalizimi dhe ndalimi i mjetit në aksin rrugor Belsh–Gjolene.

Gjatë kontrollit, në mjet ndodheshin 13 nxënës të gjimnazit, ndërsa drejtuesi i automjetit, shtetasi Sazan Jashar Gjolena, i datëlindjes 20 korrik 1972, banues në fshatin Gjolene, bashkia Belsh, iu nënshtrua testit të alkoolit. Sipas Policisë, testi u krye në dy prova, ku e para rezultoi në nivelin 0.68 mg/l dhe e dyta 0.67 mg/l, duke konfirmuar se ai ishte në gjendje të dehur gjatë drejtimit të mjetit.

Në këto kushte, drejtuesi i mjetit u shoqërua menjëherë në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme procedurale.

Ndërkohë, Policia bëri të mundur që nxënësit të transportoheshin në mënyrë të sigurt me një mjet tjetër të transportit publik, duke shmangur çdo rrezik të mundshëm për jetën dhe shëndetin e tyre.

Autoritetet policore theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët dhe bëjnë apel për denoncimin e çdo rasti që cenon sigurinë rrugore, veçanërisht kur bëhet fjalë për transportin e fëmijëve.