Pas publikimit në media të videove nga avokati Arben Llangozi, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka reaguar lidhur me dy ngjarjet e ndodhura në Golem, Kavajë.

Sipas Policisë, për videon ku dy person dhunojnë një burrë bëhet fjalë për një konflikt të vitit 2025, për të cilin është nisur procedim penal. Ndërsa për rastin e dytë policia sqaron se 69-vjeçarja është shoqëruar pasi dyshohet se ka djegur një kontejner dhe ka kundërshtuar efektivët.

Uniformat blu shtojnë se të gjitha rastet janë referuar në Prokurori dhe po hetohen.

Këto janë videot për të cilat avokati ngre akuza ndaj policisë.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës:

Në lidhje me një video të publikuar në llogarinë në Facebook të shtetasit A. Ll., me profesion avokat, sqarojmë se menjëherë, u kryen veprimet e nevojshme verifikuese mbi pamjet dhe ngjarje të tjera që lidhen me rastin e shfaqur në to.

-Nga këto verifikime rezultoi se pjesa e parë e videos së publikuar paraqet një ngjarje të ndodhur vitin e kaluar, për të cilën, më datë 22.12.2025, janë referuar materialet në Prokurori, ku është vendosur procedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasit që shfaqen në video, D. Sh. dhe B. M., pasi dyshohet se më datë 22.12.2025, rreth orës 12:30, në Golem, Kavajë, kanë goditur me grushte dhe me shkelma, shtetasin R. A., me pretendimin se ky i fundit i ka fyer gjatë konfliktit për motive pronësie.

-Pjesa e dytë e videos së publikuar lidhet me shoqërimin e nënës së shtetasit R. A., shtetases Sh. A., 69 vjeçe, pasi më datë 04.05.2026, Policia e Kavajës është njoftuar se e moshuara kishte spërkatur me lëndë djegëse, dhe më pas kishte ndezur, një kontejner të një subjekti ndërtimi, në pronësi të shtetasit A. L.. Në momentin e shoqërimit, kjo shtetase ka kundërshtuar me forcë, punonjësit e Policisë, duke i goditur dhe kafshuar.
Në këto kushte, me qëllim shmangien e konfliktit të interesit, veprimet procedurale për këtë rast janë kryer nga oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ku ka filluar procedimi në gjendje të lirë, për shtetasen Sh. A., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Më tej, informojmë se janë referuar materialet procedurale në Prokurori dhe për 2 raste të tjera të lidhura, konkretisht:
-më datë 24.03.2026, ka kallëzuar te Komisariati i Policisë Kavajë, shtetasja Sh. A., se i kishin marrë në mënyrë të padrejtë, pronën, duke e shmangur si trashëgimtare;
-më datë 15.04.2026, ka kallëzuar shtetasi E. M., se shtetasja Sh. A. kishte shkatërruar rrethimin e kantierit të ndërtimit që administron ai.

Policia e Durrësit garanton qytetarët se është maksimalisht e angazhuar, për të trajtuar shpejt dhe me profesionalizëm, çdo indicie, njoftim dhe denoncim për paligjshmëri ose shkelje të të drejtave të tyre.