6 dhjetor 2014 –  Në datat 5 dhe 6 dhjetor u shfaq para publikut artdashës durrsak, edicioni X i festivalit “Tingujt e Adriatikut”. Durrësi e ka kthyer në traditë këtë event, i cili sapo ka përfunduar dekadën e tij të parë. Fëmijët e talentuar mbushin jetën artistiko-kulturore dhe sportive të qytetit me veprimtaritë e tyre të këndshme dhe të larmishme. Ky festival u organizua nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës, më saktësisht nën drejtimin e përgjegjësit të sektorit të artit z.Çlirim Kume. Juria serioze përbëhej nga artistë si: Hajg Zaharian, Ilsid Çullhaj, Orges Mema dhe Agim Bajrami, të cilët vlerësuan kompozitorët, këngët, tekstet dhe këngëtarët.

 Moderatoret Alesia Çyrbja dhe Xhovana Ajazi, me ëmbëlsinë e tyre  i shtuan gjallëri eventit të sipërpërmendur. Këngët shoqëroheshin me performancat e kërcimtarëve të vegjël që ishin përgatitur mjeshtërisht nga koreografi i talentuar Arian Plaku. Festivalin e nderuar me pjesëmarrjen e tyre këngëtarë të vegjël nga Kosova, Maqedonia e Bullgaria. Dy të fundit u vlerësuan me çmimin “Nderi i festivalit”.

Këngët që u vlerësuan me çmime ishin:

Vendi I – Blinera Muzhaku “Shqip këndoj” (Prishtina)

Vendi II – Kejsi Xheta “Ëndërr”

Vendi II – Elif Tusha “Ëndrra me muzikë”

Vendi III – Xhesika Zalla & Klorinda Barushi “Zemra do margaritarin”

Vendi III- Alisia Xhameta “Prindërit të dy i dua ”

Vendi III – Ester  Dibrani  &  Stela Shabani  “Shoqja ime”

Ndër kompozitorët pjesëmarrës ishin emrat e mirënjohur si : Kaçinari, Tërkuçi, Ylli Kalaja, Ylli Ramzoti, Metila Dervishi, Erjon Sheqeri etj. Ky event u mbështet nga Bashkia Durrës.

Fotot: mirësjellje e fotografit Tristan Sherif