DURRËS, 11 nëntor 2014 – Sikurse njoftoi “Dyrrah”-u, në kuadër të grupit të punës të rajoneve të Ballkanit Perëndimor, liderë vendorë dhe rajonalë nga vendet e BE-së dhe Shqipërisë u takuan, të martën, më 11 nëntor 2014, në një hotel, në një vend ekzotik e historik, në Shkëmbin e Kavajës, ku janë ndeshur 2100 vjet më parë Jul Cezari dhe Gnei Pompeu.
Sipas agjendës, duhej të ishte i pranishëm dhe Ministër Shteti për Çështjet Vendore z. Bled Çuçi, por ai mungoi për shkak të angazhimeve të papritura, kështu e përligji eprorin e vet znj. Eridanë Cano, drejtore kabineti e Ministrit, e cila foli sipas agjendës.
Nuk ka ndonjë shpjegim zyrtar për mungesën e kryebashkiakut të qytetit mikpritës, z. Vangjush Dako, me të cilin “Dyrrah”-u më kot u orvat të kontaktonte me telefon në orën 13:50 të 11 nëntorit 2014.
Takimi u përqendrua në çështjet që kanë të bëjnë me rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian si dhe në përmasën vendore dhe rajonale të bashkëpunimit ndërkufitar.
Në takim u tha se Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat në BE në qershor 2014, por negociatat aktuale të pranimit nuk janë hapur ende.
Megjithatë vendi tashmë përfiton nga fondet evropiane të paraanëtarësimit dhe po zgjeron bashkëpunimin ndërkufitar.
Pjesëmarrësit i përshëndeti kreu i Qarkut të Durrësit z. Alfred Mullaraj, i cili, sipas zëdhënësit Artur Korriku, mes të tjerave, tha:
“Bashkëpunimi ndërkufitar ka potencialin për të transformuar kufizimet në mundësi për zhvillim. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për rajonet që u përkasin vendeve përtej kufijve të Bashkimit Evropian…
Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Serbi është një mundësi më shumë për mirëkuptim dhe bashkëpunim midis vendeve të rajonit tonë”.
Kryetarja e Delegacionit të BE-së në Tiranë znj. Romana Vlahutin theksoi:
“Është mjaft i rëndësishëm zhvillimi i qeverisjes në kuadër të zgjerimit të BE-së. Vetë BE-ja kërkon menaxhim serioz në disa sektorë si mjedisi, bujqësia, zhvillimi rural, sigurimi ushqimor dhe politika rajonale sociale…
Shpejtësia e transportit [hekurudhor – shtesë e “Dyrrah”-ut] në vendet e rajonit është 50 km në orë. Disa vjet më parë për të shkuar nga Zagrebi në Sarajevë me tren, nevojiteshin 4 orë sot kjo rruge bëhet për 8 orë. Nga Tirana në Sarajevë është e pamundur të shkosh me tren, është njëlloj si të shkosh nga Tirana në Uashington. Këto, pra, janë probleme që duhen zgjidhur nga të gjitha vendet e rajonit…
Zbatimi i ligjit në mënyrë konsistente në nivel vendor është thelbësor për të krijuar mjedise pozitive për zhvillimin e biznesit”.
Z. Jean-Louis Destans, kryetar i grupit të punës, u shpreh:
“Jemi të lumtur të organizojme mbledhjen e 16 të grupit të punës për Ballkanin Perëndimor në Durrës në një kohë zhvillimesh të rëndësishme për Shqipërinë. Është dhënë statusi i vendit kandidat për BE, është në proces një reformë territoriale dhe administrative, që duhet të ketë ndikim të madh në autoritetet vendore dhe rajonale”.
Në seancën e mëngjesit, diskutimet u përqendruan mbi raport-progresin vjetor të Komisionit Evropian në tetor të vitit 2014, që vlerësoi arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve në kuadër të anëtarësimit përfundimtar në BE.
Lidhur me këtë, z. Franc Schausberger, anëtar i grupit të punës, po përgatit një opinion të Komitetit të Rajoneve mbi “Strategjinë e zgjerimit dhe sfidat kryesore 2014-2015”.
Ai theksoi nevojën për të ruajtur identitetin vendor dhe afërsinë ndaj qytetarëve gjatë reformës territoriale-administrative në Shqipëri.
Në vazhdim të takimit, pjesëmarrësit diskutuan për hartimin dhe zbatimin e projekteve të bashkëpunimit ndërkufitar, duke paraqitur shembuj konkretë. Theks i veçantë iu kushtua rolit teë autoriteteve vendore dhe rajonale në këto projekte.
Anëtarja e Komitetit te Rajoneve znj. Paulina Haijanen prezantoi opinionin mbi “vlerën e shtuar të strategjive makro-rajonale", në të cilën Komiteti i Rajoneve nënvizon rëndësinë politike dhe strategjike të promovimit të bashkëpunimit makro-rajonal si brenda BE-së dhe me vendet jashtë BE-së.
Info /Komiteti i Rajoneve
Komiteti i Rajoneve është asamble e përfaqësuesve rajonalë dhe vendorë nga të gjitha 28 shtetet anëtare të BE-së.
Ka si misioni përfshirjen e autoriteteve rajonale dhe vendore si dhe komuniteteve që ata përfaqësojnë në procesin e vendimmarrjes së BE-se dhe informimin mbi politikat e BE-së.
Komisioni Evropian, Parlamenti dhe Kvshilli Evropian janë të detyruar të konsultohen me Komitetin e Rajoneve në fushat e politikave që ndikojnë në rajonet dhe qytetet.
Komiteti mund të ankohet në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, nëse të drejtat e tij janë shkelur, ose nëse beson se ligjet e BE shkelin parimin e subvencionimit, apo dështojnë në respektimin e pushteteve rajonale apo vendore.
/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





